Nga Nisma thonë se me 14 shkurt shumëkush do të befasohet nga rezultati

Nga Nisma thonë se me 14 shkurt  shumëkush do të befasohet nga rezultati

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka paralajmëruar befasi në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Por, para se ai të japë këtë premtim, subjektin e tij e ka “befasuar” Policia e Kosovës duke ia shqiptuar dënimin për mosrespektim të masave anti-Covid. Ndërsa po përgatitej tubimi elektoral në një hotel në dalje të Prishtinës, njëri nga zyrtarët e Nismës konfirmoi se janë gjobitur për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve në sallë, njofton Insajderi.

“Na shqiptuan dënim për shkak të numrit të madh të njerëzve brenda sallës. Ne i kemi ndjekur rregullat, e keni parë edhe vetë që brenda janë vendosur karriget në hapësirë prej njëra-tjetrës, por ligji është ligj, ne e respektojmë atë”, ka thënë zyrtari i Nismës, që u mor me policinë.

Në tubimin e mbajtur në një hotel në dalje të Prishtinës, kandidati për deputet, Bilall Sherifi, e kritikoi kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, për deklaratat ndaj Limajt.

“Ramizi qe 20 vjet e ka një tregim që e përsërit për luftëtarin e UÇK-së, qysh është frikësuar dhe është ikë. Nuk e ka një emër, por varësisht qysh i duhet. Pra, e ka një shabllon të historisë që tregon dhe varësisht qysh i duhet ai ia vë një emër. Nuk e kam pritë prej tij kur e përkrah personin që ka në krah, e ky person gjatë luftës ka thënë se nëse fiton UÇK-ja do të kërkojë azil në Beograd”, është shprehur Sherifi.

Sipas tij, Lladrovci nuk ka qenë gjatë luftës në Kosovë që ta kritikojë Limajn.

“Tash mund t’ju them se as unë, as Ramizi nuk kemi qenë në Kosovë gjatë luftës. Nuk ia mohoj kontributin, por ne në atë kohë kemi pas detyra të tjera. Duke dëgjuar Ramizin, duke treguar historinë e trilluar për Fatmirin, thashë: a thua, me çfarë dylbish e ka pa Fatmirin në Llapushnik. Me thonë që në atë kohë ke pas dron, nuk po besoj. Ramiz, nuk të ka hije!”, ka shtuar më tej Sherifi.

Ai ka ftuar Lladrovcin që të votojë Nismën Socialdemokrate në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke arsyetuar se mes Fatmir Limajt dhe Hashim Thaçit nuk ka dallim.

“Ramiz, më 14 shkurt votoje Nismën se nuk ka me të ra keq. Në Parlament kanë vend të gjithë ata që kanë kontribuar në luftë”, ka theksuar ai.

Bartësi i listës së Nismës, Fatmir Limaj, me të marrë fjalën e korrigjoi Sherifin.

“Bilall, lej dronat se nuk më ka pa me drona, por Enveri i ka tregu, se Enveri ka qenë me mu në Llapushnik. Zoti e bëftë hajr!”, ka deklaruar Limaj.

Ndërsa vonesën në tubim e ka arsyetuar me agjendën e ngjeshur.

“Kam qenë në 12 vende sot për fushatë, andaj ju kërkoj ndjesë për vonesën”, ka shtuar më tej ai.

Ditëve të kaluara të fushatës Limaj premtoi se me të hyrë në Kuvend do ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë e të enjten bëri sqarime shtesë.

“Me të hyrë në Parlament duam që gjënë e parë ta bëjmë hartimin e atij ligji. Nuk mund ta bëjë vetëm partia jonë, por duhet të iniciojmë dhe në bashkëpunim me të tjerët ta shtyjmë përpara”, ka thënë ai.

Ndërsa për zgjedhjet e 14 shkurtit Limaj tha se shumëkush do të befasohet me rezultatin.

“Si asnjëherë më parë, më 14 shkurt, shumë njerëz ka me i befasua rezultati”, është shprehur i bindur Limaj.

Gjatë këtij tubimi u prezantuan kandidatët për deputetë nga Prishtina./Insajderi.com