Nga patatja tek birra – produktet që e ndajnë Kosovën me Shqipërinë

Mielli, patatja, qepa, birra, rrushi dhe produketet farmaceutike janë prodhimet që tash e sa vite na kanë “ndarë” me Shqipërinë.

Nga patatja tek birra – produktet që e ndajnë Kosovën me Shqipërinë

Të paktën gjashtë produkte të Kosovës, nuk kanë depërtuar leht në tregun e Shqipërisë. Për disa vite me radhë ky vend i ka vendosur barrier prodhuesve kosovarë. Ndërsa Kosova vetëm një herë ka ndaluar një produkt që importohet nga Shqipëria.

Në vitin 2012, kishte “bllokuar” përkohësisht çimenton, shkruan Insajderi.

Patatja nga kosova mbetet produkti që shumti pati pengesa të shitej në Shqipëri. Prodhuesit  për vite me radhe janë përballur me pengesa dogane, ndërkohë që kjo cështje në vazhdimëshi ka ngjallur debat.

Gjithcka kishte nisur në vitin 2009. Atëherë Shqipëria vendosi referencën tregtare ndaj prodhimeve kosovare. Ajo referencë ishte tri herë më e lartë sesa referencat doganore që Serbia kishte vendosur ndaj këtij produkti të prodhuar në Kosovë.

Atëherë referenca doganore për pataten nga Kosova në Doganën e Shqipërisë ishte 0.24 cent, që ia bënte pothuajse të pamundur prodhuesve kosovare konkurrimin në tregun shqiptar.

Ky cmim kishte vazhduar për disa vjet.

Pikërisht për referencën doganore të Shqipërisë të vendosur ndaj Kosovës, atëherë ministrja e Tregtisë në Kosovë, Mimoza Kusari-Lila kishte vendosur të “bllokojë” përkohësisht hyrjen e çimentos së Shqipërisë në Kosovë. Vendimi ishte marrë në qershor të vitit 2012.

Sipas saj, kompanitë që e importojnë nga vendi ynë këtë mall, do të duhej të paguanin një tarifë prej 35% të vlerës së importuar dhe kjo bëhet për të mbrojtur prodhimin e vendit.

Ishte ulur tek në vitin 2012, kur pas një debati të gjatë, Ministria e Tregtisë së Shqipërisë kishte konfirmuar se çmimi i referencës për patatet kosovare ishte rikthyer në atë të mëparshmën, 18 cent.

Nga referenca prej 24 centëve, ajo ishte ulur në 18 cent, raporton Insajderi.

Megjithatë problemet e prodhuresve kosovarë të patateve kishin vazhduar edhe viteve tjera.

Kjo çështje tashmë ishte harruar kur dy Qeveritë ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, kishin vendosur të takoheshin edhe një herë në një mbledhje të përbashkët.

Me 23 marsi i vitit 2015, kur të dy Qeveritë u takuar sërish në një mbledhje e cila pati edhe një moto “Një tokë, Një Popull, Një Ëndërr”. Por as kjo mbledhje nuk e ka zgjidhur këtë problem.

Dy vite pas kësaj mbledhje të përbashkët, të dytës, Shqipëria e riktheu vendimin e saj për prodhuesit kosovar të patates që duan të eksportojnë në Shqipëri.

“Doganat e Shqipërisë kanë vendosur një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës të rritet referenca tregtare nga 0.14 në 0.18 Euro, që nënkupton një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e OEK.

Në shtator të viti 2015 edhe ndaj rrushit të Kosovës, Shqipëria vendosi barrier. Vreshtarët e patën të pamundshme që prodhimin e tyre ta depërtojnë në tregun atje.

Tarifa të reja ndaj produkteve të Kosovës shteti shqiptarë kishte vendosur edhe në shkurt të këtij viti. Barrierat tregtare më të theksuara ishin për produktet bujqësore, farmaceutike dhe të birrës.

Si kundërpërgjigje pas këtij veprimi, MTI-ja kishte kërcënuar me barriera tregtare për produktet e Shqipërisë nëse autoritete shqiptare edhe më tutje vazhdojnë t’i pengojnë eksportet kosovare në këtë shtet.

Për ta kapërcyer këtë problem pritet që të nënshkruhet një marrëveshje për unifikimin doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët të këtyre dy qeverive që do të mbahet me 26 nëntor, në Pejë.

Marrëveshja për unifikimin doganor, pritet të fillojë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.

Planifikohet që me fillimin e zbatimit të saj të mos kërkohen dokumente të panevojshme, por të njihen në mënyrë reciproke dokumentet e të dyja shteteve.

Pavarësisht këtyre pengesave kompanitë kosovare arritën që vitin e kaluar të eksportonin në Shqipëri produkte në vlerë prej 60 milionë eurosh.

Ndërsa kompanitë nga Shqipëria, të cilat nuk janë përballur me asnjë pengesë doganore nga Kosova, në vendin tonë sollën prodhime në vlerë prej më shumë se 150 milionë eurosh.

Rukiqi: Barrierat për shkak të grupeve të interesit

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, ka përmendur disa prej faktorëve që po ndikojnë në bashkëpunimin e ‘dobët’ mes Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin tregtar.

Ka thënë se përderisa me Serbinë arsyet për barrierat tregtare janë çështjet politike, ka thënë se me Shqipërinë barrierat krijuar për shkak të grupeve të caktuara të interesit.

Sipas tij kërkesat nga shteti shqiptar janë jashtë standardeve dhe rregullave të CEFTA-së

“Kur jemi tek Shqipëria kur e përmenda këtë ri orientimin ekonomik ne po pretendojmë ta rrisim komunikimin dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, por fatkeqësisht shumë barriera jo tash politike siç është me Serbinë dhe Bosnjën por për shkak të grupeve të interesit që janë në Shqipërinë po mbesim”.

“Kemi kërkesa për certifikata dhe teste të caktuara, për standarde të tjera, kemi pritje të gjata në kufi, trajtim jo të barabartë në përgjithësi jashtë rregullave të CEFTA-së këto janë evidente me  Shqipërinë”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Rukiqi ka thënë se po mendon ta shfrytëzojë takimin mes dy qeverive për të krijuar Odën ekonomike Bilaterale me Serbinë, odë të cilën Shqipëria me Serbinë e ka qysh kohë më parë.

“Ajo çfarë tash jemi duke bërë shto dhe taksën ta shfrytëzojmë 26 nëntorin kur është takimi i dy qeverive ta kemi një forum ekonomik dhe ta kemi një iniciativë për themelim të një  Ode Ekonomike Bilaterale, paradoksalisht e ka krijuar më herët me Serbinë dhe nuk e ka me Kosovën”, ka deklaruar Rukiqi.

Një vit më parë, në 2017 në Tiranë është themeluar Dhoma e Tregtisë  Shqipëri-Serbi, me synimin të forcojë  dhe të rrisë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, shkruan Insajderi.

Se ka një bashkëpunim të mirë mes këtyre dy dhomave u dëshmua gjatë kësaj jave.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë, me rastin e 15 vjetorit të pjesëmarrjes së Serbisë në “Tirana International Fair” mblodhi në një pritje ambasadorë, sipërmarrës nga Serbia, përfaqësues te biznesit dhe medias shqiptare.

Ky takimi i parapriu panairit ndërkombëtar që u hap të mërkurën në Shqipëri ku pjesëmarrës ishin më shumë se 40 kompani nga Serbia.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Serbe, Marko Cadez, përveç që e ka vlerësuar të shkëlqyer bashkëpunimin Serbi – Shqipëri, kishte thënë se këto dy vende do të ndryshojnë perceptimin për Ballkanin.

Sipas Cadez, vitin e kaluar eksportet nga Serbia në Shqipëri, ishin rritur në 31%, ndërsa eksportet shqiptare atje në 40%.

“Padyshim që këtë nuk e gjeni në vendet e tjera. Ajo që po ndodh këtu është se dy vendet tona po e gjejnë mundësi të reja dhe partneritet, për të qenë konkurruese me produktet e tyre jo vetëm në Bashkimin Europian por edhe në Rusi e Kine. Mendoj, besoj dhe ribesoj se komuniteti shqiptar dhe komuniteti serb se bashku mund të formësojne të ardhmen e këtij rajoni. Do të ndryshojmë perceptimin se ky është rajoni i dështimeve, problemeve, luftës e kolapsit. Ky është rajoni i suksesit. Nuk ka asnjë vend ne kontinentin europian që të ketë investuar ne një skeme më të madhe përfitimi sesa vendet tona.” – tha Cadez.

Ndërsa Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi, Isuf Ferra, me qëllim që të rritet edhe më shumë ky shkëmbim tregtar, ka kërkuar politika mbështetëse nga dy qeveritë.

Të dhëna e Eksport – Importit mes Kosovës e Shqipërisë 

Që nga shpallja e pavarësisë mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka filluar të bëhet një shkëmbim tregtar me i madh. Kjo është rritur nga viti në vit pa ndalesa ndaj produkteve nga Shqipëria por me pengesa për prodhimet nga Kosova.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm vitin e kaluar Shqipëria ka importuar në Kosovë produkte në vlerën e 151 milion euro. Në vitin 2008 kjo vlerë ka qenë rreth 60 milionëm në vitin 2011 ka qenë 96 milion e 400 mijë euro.

Kosova vitin e kaluar ka eksportuar në Shqipëri produkte në vlerën 60 milione e 257 mijë euro, nga 34 milion sa ka qenë shuma e ekortit në Shqipëri.

Nga vlera e 151 milionë eurove  e importeve nga Shqipëria në Kosovës, giza dhe çeliku është produkti më i blerë në vendin tonë, në vlerën 60 milionë e 339 mijë euro ndërsa nga Kosova për në Shqipëri ky produkt është eksportuar në vlerën prej 12 milionë e 221 mijë euro. /Insajderi.com