Nga PDK-ja vizitën e Kurtit dhe Osmanit në Mitrovicë e quajnë defilim

Nga PDK-ja vizitën e Kurtit dhe Osmanit në Mitrovicë e quajnë defilim

Partia Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si defilim dhe turistike vizitën që kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për presidente nga kjo listë, Vjosa Osmani, i bënë veriut të vendit të shtunën, njofton Insajderi.

Dy krerët e kësaj liste u përballën me fyerje nga qytetarët serbë në veri të shtunën gjatë ditës.

Ish-deputeti i kësaj partie, Mërgim Lushtaku, ka thënë se Kurti e ka të lehtë të shkojë sot në veri duke thënë se këtë e mundësoi ish-kreu i PDK-së, Hashim Thaçit.

“Sot është lehtë për të shkuar në Veri, pasi Hashim Thaçi, i shuajti strukturat paralele, e integroi sistemin gjyqësor dhe bëri që rendi dhe ligji të mbizotëroj në këtë pjesë, si çdokund në Kosovë. Defilo Albin defilo, Kosova ka pasur burra që kanë punuar për këtë ditë!”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

E vizitë turistike e ka quajtur këtë vizitë të Kurtit e Osmanit, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi. Ai madje e ka quajtur Kurtin “frikacak”.

“Sot në veriun e Kosovës Albin Kurti u takua me real politikën. Një politikan që shtiret ujk me shqiptarët, e dele me Serbinë nuk na duhet. Mjaftuan një grusht të rinjsh që të zbrapsin Kurtin dhe Vjosen nga vizita e tyre turisitike në Veri. Një përkujtim për të gjithë se poezitë e fjalët e mëdha nuk kryejn punë kur nuk ke zemër e guxim. Frikacak!”, ka shkruar Bytyçi.

Pas fyerjeve që u bënë në drejtim të Kurtit e Osmanit, Lëvizja Vetëvendosje doli me reagim duke thënë se tubimi kishte shkuar sipas agjendës dhe se “dy krerët janë mirëpritur nga qytetarët, por jo nga strukturat e Listës Serbe”./Insajderi.com