Nga Presidenca thonë se Kosova ia doli – “strukturat ilegale s’arritën ta mbajnë referendumin”

Nga Presidenca thonë se Kosova ia doli – “strukturat ilegale s’arritën ta mbajnë referendumin”

Blerim Vela, Shefi i Stafit në Kabinetin e Presidentes të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të dielën vonë ka shkruar një status në llogarinë e tij në Twitter, ku ka lëvduar qëndrimin e Kosovës në raport me Referendumin serb që nuk u lejua të mbahej brenda territorit.

Vela ka lënë të nënkuptohej se nuk ishte diçka e lehtë, meqë ka pasur kërcënime nga Beogradi dhe gjithashtu tendencë nga strukturat paralele për ta mbajtur referendumin.

“Përkundër kërcënimeve nga Serbia, ishte një ditë e qetë në Kosovë. Strukturat ilegale të Serbisë nuk ia dolën ta mbajnë referendumin”, shkroi Vela.

Sipas tij, “Kosova mbajti një qëndrim parimore që ruan paqen regjionale dhe stabilitetin derisa forcon sovranitetin dhe integritetin territorial”.

Serbia ka mbajtur Referendum për ndryshime kushtetuese atje, por qëllim kishte vendvotime të organizonte edhe në Kosovë.

Qeveria, presidenca dhe kryeparlamentari dolën kundër, paçka se ambasadorët e shteteve më të fuqishme perëndimore, kërkuan nga Kosova ta lejojë referendumin.

Nën argumentin se shkelet sovraniteti i shtetit nëse lejohet, krerët shtetërorë të Kosovës refuzuan këshillën e ndërkombëtarëve.

Për më tepër, u mbajt një seancë parlamentare ku u nxor edhe një rezolutë që ndalonte këtë referendum dhe autorizonte qeverinë që të marrë të gjitha masat për ta parandaluar.

Pro vendimit të qeverisë për moslejimin e referendumit kanë qenë edhe të gjitha partitë opozitare në Kosovë.