Nga puna e tyre si zyrtarë të lartë shkojnë në gjykatë

Nga puna e tyre si zyrtarë të lartë shkojnë në gjykatë

Mungesa e dëshmitares Erza Arifi, përsëri ka ndikuar që të dështoi gjykimi ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të prokurimit në këtë ministri, Besim Tahiri, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ku aktualisht, Xhelil Bekteshi është zëvendës drejotor në Aviacionin Civil ndërsa Besim Tahiri është shef i Departamentit për Patent Shofer.

Edhe pse në seancën e së martës morën pjesë të gjitha palët dhe dëshmitari Hysen Doberqani, me propozim të prokurorit Ibrahim Berisha, për dëgjimin e dëshmitares Arifi, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, vendosi që të shtyj seancën për 27 shtator 2019, në ora 13:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Berisha deklaroi se për prokurorinë është dëshmitarja kryesore, për çka sipas tij është e rëndësishme që e njëjta të jep dëshminë e saj në këtë shqyrtim gjyqësor.

Gjykatësja Krasniqi-Jashanica tha se gjykata ka pranuar një njoftim nga dëshmitarja Arifi, e cila ka kërkuar që për këtë çështje të përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha, me arsyetimin se e njëjta gjendet në Gjermani.

Por sipas të njëjtës, gjykata nuk ka të dhëna zyrtare për vendndodhjen e saj dhe për këtë arsye vendosi që për seancën e radhës, ndaj dëshmitares të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Ndryshe, edhe seanca e 17 qershorit kishte dështuar për shkak të mungesës së dëshmitares Erza Arifi, si dhe mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismaili dhe dëshmitarit tjetër, Hysni Doberqani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin, është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, por që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut, për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

Bekteshi, sipas kësaj aktakuze, thuhet se derisa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Sipas aktakuzës, ai kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.

Ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim të lartë 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik “Famis”, me çmim më të lirë prej 961.590.16 euro, i ishte pamundësuar fitimi i tenderit edhe pse ishte me oferte më të lirë.

Ndërsa, Besim Tahiri po akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.

Ndërsa, aktakuza të akuzuarin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”,  e ngarkon me veprën penale “falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sallahu edhe pse e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtet. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë./Betimipërdrejtësi