Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj Halimi, ka thënë se inicimi i mocionit për rrëzimin e Qeverisë Hoti nuk është serioz, pasi sipas saj Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nënshkrime për ta thirrur seancën për mocion, lërë më rrëzimin e Qeverisë.
“VV-ja nuk i ka nënshkrimet as për thirrjen e seancës e lëre më ta rrëzojnë qeverinë. Ngritja e një mocioni në këtë kohë pandemie është e padrejtë, kur vetë ata deklaronin se nuk duhej rrëzuar Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Kurti, për shkak të pandemisë”, ka deklaruar ajo.
Në një intervistë për “Kanal 10”, zv-kryeministrja nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se menaxhimi gjatë kohës së bllokimit ka qenë më i lehtë sesa tash.
Zv-kryeministrja, Balaj-Halimi është në krye te ekzekutivit fizikisht në Qeverinë e Kosovës, për shkak se kryeministri, Avdullah Hoti dhe zv-kryeministri, Driton Selmanaj janë të infektuar me COVID-19. /Insajderi.com/