Dita e dytë e fushatës zgjedhore ka sjell në pah premtime të reja nga subjektet politike. Vetëvendosje premtoi banim të përhershëm për secilin qytetarë të Kosovës, në mandatin e ardhshëm. Koalicioni LDK-AKR premtoi rritje të buxhetit të shtetit prej tetë për qind. Koalicioni PDK-AAK-NISMA premtoi rritjen e pagave të sektorit publik.
Nga një takim i Vetëvendosjes (VV) me qytetarë në Komunën e Artanës, vëmendje të madhe mori fjalimi i anëtares së Kryesisë së VV-së, Nazlie Bala.
Në këtë takim në Artanë, Bala premtoi se VV do t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës banim të përhershëm. Premtimi, sipas saj, vlen për të gjithë qytetarët.
“Ne synojmë që përmes programit 40 pikësh, t’i ofrojmë secilt qytetar vendbanim të përhershëm, duke i ndërtuar 4000 banesa”, tha Nazlie Bala.
Ndërkaq, nga koalicioni LDK-AKR ndëgjuam premtime për zhvillimin ekonomik. Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se nëse koalicioni LDK-AKR-Alternativa merr qeverisjen, buxheti i shtetit do të rritet deri në tetë për qind.
“Do të krijojmë rritje ekonomike mbi 8 për qind dhe kjo rritje do të krijojë mundësinë për hapjen e 70 mijë vendeve të punës. Në mandatin e parë të qeverisjes sonë do të përgjysmojmë importin nga Serbia, do të ngrisim zona të lira agro-ekonomike me trende globale”, ka thënë kryetari i AKR-së.
Sikurse në ditën e parë të fushatës, edhe në të dytën,koalicioni PDK-AAK-NISMA ka vazhduar të premtoi se do t’i kushtojë tërë vëmendjen sektorit të bujqësisë, e edhe të blegtorisë.
Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, vizitoi komunën e Sharrit. Atje, ai tha se do të mbështes blegtorinë në Kosovë.
“Mbështetja në sektorin e blegtorisë, por edhe investimet në fushën e turizmit, do t’i bëjnë malet e Sharrit e të Opojës, një oazë të vërtetë zhvillimi në këndin jugor të Kosovës”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, i cili sot vizitoi Gjakovën, deklaroi se me PDK-në në qeverisje do të rriten pagat e sektorit publik për 30 për qind. /Insajderi.com