Nga shoqëria civile thonë se projekt-ligji për vlerat e UÇK-së rrezikon dëshmitarët në Gjykatën Speciale

Nga shoqëria civile thonë se projekt-ligji për vlerat e UÇK-së rrezikon dëshmitarët në Gjykatën Speciale

Projekt-ligji për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po konsiderohet edhe si mundësi e “ndëshkimit” të dëshmitarëve potencialë në Gjykatën Speciale pas kthimit në Kosovë.

Kështu është shprehur kryetari i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, i cilit në “Debat Plus”, tha se nëse një dëshmitar flet kundër një pjesëtari të UÇK-së në Hagë, atëherë ai në Kosovë do të akuzohet si shkelës i projekt-ligjit të synuar për vlerat e luftës.

Nëse një person është dëshmitarë i mbrojtur në Hagë dhe dëshmon kundër personave të caktuar, dikujt që është anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Drejtorisë Politike të UÇK-së ai në momentin kur të kthehet në Kosovë do të akuzohet në bazë të këtij ligji se ka shkelur vlerat e UÇK-së”, tha ai.

Projekt-ligji për vlerat e luftës nuk arriti të hidhej në votim për shkak se nuk kishte korum. Propozimi ishte i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ka gjetur mbështetje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, njofton Insajderi.

Por, disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë kërkuar që ky projekt-ligj të përmirësohet pasi ka shumë hapësirë për keqinterpretime.

Zyrtarisht përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, kanë kundërshtuar këtë nisme – me arsyetimin se një projekt-ligj i tillë pengon zhvillimin e demokracisë dhe cenzuron lirinë e shprehjes. /Insajderi.com/