Nga vetura e djegur përhapen flakët në një objekt në Prishtinë – Nuk raportohet për të lënduar

Nga vetura e djegur përhapen flakët në një objekt në Prishtinë – Nuk raportohet për të lënduar

Një garazh ndërtese është përfshirë nga flakët gjatë pasdites së sotme në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Rastin për Insajderin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se bazuar në të dhënat fillestare, nuk raportohet për njerëz të lënduar.

“Rreth orës 14:30 e kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë (garazhë) në rrugën “Muharrem Fejza në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka njoftuar se ky zjarr është përhapur si pasojë e djegies së një veture, ku më pas janë përhapur flakët edhe në objekt.

“Zjarrëfikësit dhe policia menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se fillimisht është djegur një veturë dhe më pas zjarri është përhapur në objekt. Zjarri është lokalizuar, për detaje rreth rastit do të njoftoheni pasi që njësitet kompetente të përfundojnë ekzaminimet e vendit të ngjarjes”, ka thënë ahmeti.

Gazeta Online Insajderi ka arritur të sigurojë pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet intervenimi nga zjarrfikësit. /Insajderi.com