Nga viti 1999 në Kosovë janë hequr 92 mijë mjete shpërthyese

Nga viti 1999 në Kosovë janë hequr 92 mijë mjete shpërthyese

Që nga viti 1999 e deri më tani në Kosovë janë pastruar mbi 52 milionë metra katrorë fusha të minuara dhe janë hequr mbi 92 mijë mjete shpërthyese.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Kompania e Deminimit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vetëdijesimit ndaj rrezikut nga minat, njofton Insajderi.

Nga kjo kompani po ashtu bëjnë të ditur se për 22 vjet janë hequr edhe 23 mijë e 700 mina antipersonale, 3 mijë e 120 mina antitank dhe 22 mijë e 500 bomba kasetore.

“Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës të gjithë kolegëve deminerë, organizatave civile të deminimit në Kosovë: HALO Trust, NPA, po ashtu ekipeve të EOD-së të KFOR-it, i falënderon për punën dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Duke ju uruar 4 Prillin ‘Ditën Ndërkombëtare të Vetëdijesimit ndaj rrezikut nga minat’.

Falënderim i veçantë çdokujt që ka ndihmuar Kosovën në këtë rrugëtim, me punën e secilit që nga viti 1999 e deri më sot 04 Prill 2021 në Kosovë janë pastruar: Mbi 52 milionë metra katrorë fusha të minuara, janë hequr mbi 92 mijë mjete shpërthyese, 23,700 mina antipersonale, 6120 mina antitank, 22,500 bomba kasetore, 40,000 mjete tjera konvencionale dhe të gjitha këto pa asnjë aksident , falë punës disiplinës dhe profesionalizimit të secilit deminer”, tregojnë të dhënat e publikuara nga Kompania e Deminimit të Gardës Kombëtare të FSK-së./Insajderi.com