Nga vjedhjet deri tek gjuajtjet me armë – Historia e 24-vjeçarit nga Podujeva që u sulmua me armë

Nga vjedhjet deri tek gjuajtjet me armë – Historia e 24-vjeçarit nga Podujeva që u sulmua me armë

Adnan Potera, 24-vjeçari nga Komuna e Podujevës që ishte përfshirë në një gjuajtje me armë zjarri tri ditë më parë në Sibovcë, po del se ka një të kaluar mjaftë problematike. Gjykata Themelore e Prishtinës në 10 vitet e fundit, ka hapur gjashtë raste ndaj Poterës

Gjuajtje me armë zjarri, vjedhje të rëndë, tentim vjedhje, rrezikim i trafikut publik dhe për dy raste të lëndime të lehtë trupore, janë rastet që janë hapur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për Adnan Poterën.

Adnan Potera, kishte filluar të bëhet i njohur për Prokurorinë Themelore të Prishtinës, në dhjetori të vitit 2009. Ishte pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës, ndaj Poterës për “vjedhje të rëndë”.

Pa u bërë ende një vit, Poterës i ishte përmendur emri përsëri në Policinë e Kosovës. Në shkurt të vitit 2010 dhe në gusht të atij viti, për Poterën kishin shkuar dy kallëzime penale. Të dy kallëzimet kishin pasur të bëjë me lëndime të lehta trupore.

“Më 18.12.2009, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës, të evidentuar me PPM-368-12/19, kundër A.P., në drejtim të veprës penale “Vjedhja e rëndë”  nga neni 235 të Ish- Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Më 03.08.2010, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar kallëzim penal të evidentuar me PPM-236-9/2010,  kundër të njëjtit, në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153 të Ish-Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Më 27.02.2010, kjo prokurori ka pranuar kallëzim penal kundër personit në fjalë të evidentuar me PPM-94-7/2010,  në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153 të Ish-Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për Insajderin.

Në muajin shkurt të vitit 2012, ndaj Poterës ishte dorëzuar edhe  një kallëzim penal. Ai dyshohej për vjedhje në tentativë. Ndërsa në vitin 2013, Potera ishte përfshirë në një tjetër vepër penale. Kishte shkaktuar rrezik të përgjithshëm të trafikut.

“Më 29.02.2012, kjo prokurori ka pranuar kallëzim penal të evidentuar me PP.II.nr. 1182/12, kundër A.P., si bashkëkryes, në drejtim të veprës penale “Vjedhje në tentativë” nga neni 252 të Ish- KPRK-së”.

“Më 30.01.2013, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës, kundër të njëjtit person, në drejtim të veprës penale ‘Rrezikim i trafikut publik’ nga neni 378 të Ish-KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës

Rastet në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ndaj Adnan Poterës ishin kthyer përsëri vitin e kaluar. Ndaj tij ishte bërë një kallëzim penal për posedim të paautorizuar të armëve dhe shkaktim i rrezikut të përgjitshem. Për rastin e fundit, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë dhe e cila ka përfunduar me aktgjykim.

“Më 15.11.2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal, kundër A.P., në drejtim të veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, lidhur me rastin në fjalë, më 19.02.2019, ka ngritur aktakuzë kundër të njëjtit, i cili rast ka përfunduar me Aktgjykim”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për Insajderin.

Ndërkohë që rasti i fundit i Poterës, ku ai pretendon se dikush tentoi ta vriste,  janë duke u zhvilluar hetimet.

Çka ndodhi të martën kur 24-vjeçari u gjuajt me armë zjarri

24-vjeçari nga Podujeva kishte arriti t’i shmangte tre plumbave që goditën veturën e tij, gjatë kohës sa ajo ishte në lëvizje.

Ngjarja ndodhi në fshatin Sibovc të Komunës së Podujevës. Familja e Adnanit pretendon se djalin e tyre kishte dashur dikush ta vriste.

Menjëherë pas rastit dolën në vend të ngjarjes Policia e Kosovës, këta të fundit morën edhe automjetin për ekzaminim, ndërkaq momentalisht nuk kanë asnjë të dyshuar e po punojnë për të zbardhur ngjarjen.

Adnan Potera tregonte prapavijën e asaj se çka ndodhi një natë më parë, e si sipas tij kishte arritur të i shpëtonte plumbave.

“Mbrëmë rreth orës 22:30 jam kanë me veturë tu shku për Podujevë kam pas muzikë duke dëgjuar duke shku rrugës e kam dëgjuar një plumb që ka kërsit në dritare, mbrapa e kam çel derën jam ul poshtë prej aty ja kanë nis me qit edhe tre a katër në karrigë temën”, thoshte ai.

Potera thoshte se qëllimi i kushdo që mund të ketë gjuajtur në drejtim të tij, kishte qëllim që ta vriste.

“E ka pas qëllimin veç me më vra edhe për çka nuk e di plumbi mbrapa ka kërsit mos me pas çel derën unë sot isha i vramë, shumë shpejt ka ndodh gjithçka”, përfundonte rrëfimin ai./Insajderi.com