Nga vjeshta do të vazhdojnë mbledhjet e përbashkëta Kosovë – Shqipëri

Nga vjeshta do të vazhdojnë mbledhjet e përbashkëta Kosovë – Shqipëri

Kosova dhe Shqipëria  do të vazhdojnë edhe këtë vit traditën e mbledhjeve të përbashkëta ndërmjet dy qeverive, ku edhe do të nënshkruhen marrëveshje të reja, dhe do të diskutohet për avancimin e zbatimit të marrëveshje të kaluara, njofton Insajderi.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë për Ekonomia Online, se mbledhja e përbashkët mes dy qeverive pritet të mbahet në pjesën e dytë të muajit shtator.

Ajo ka thënë se në këtë mbledhje do të nënshkruhet tri marrëveshje të “mëdha”.

“Ne kemi filluar me takime të cilat do ta organizojnë mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy Qeverive, e cila pritet të mbahet në pjesën e dytë të shtatorit”.

“Javën e kaluar kam pasur takim me këshillin organizativë jemi në punë e sipër për tu koordinuar mes dy qeverive për marrëveshjet e radhës”.

“Janë tri marrëveshje më të mëdha do ti quaja, e para është Dogana në Durrës, linja hekurudhore dhe Hidrocentrali që do të ndërtohet në republikën e Shqipërisë për Kosovën”.

Balaj-Halimaj ka folur edhe për marrëveshjet e nënshkruar vite më parë, si dhe zbatimin e tyre.

Ajo ka shtuar se ka pajtueshmëri mes dy palëve që të shtyhen përpara marrëveshjet e arritura, e të cilat kanë ngecur në zbatim.

Sipas saj, në takimin e ardhshëm do të ketë edhe plotësim të disa marrëveshjeve të kaluara. Kosova dhe Shqipëria kishin filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014./Insajderi.com