Nga VV e quajnë veprim hakmarrës shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion

Nga VV e quajnë veprim hakmarrës shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion

Ish-ministrja e Drejësisë, njëherësh edhe anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion nga ana e Qeverisë së Kosovës e ka konsideruar veprim me motive të ulëta të hakmarrjes, njofton Insajderi.

Haxhiu deklaroi se në vend që të fuqizohen departamentet që merren me luftimin e korrupsionit kjo qeveri po i mbyllë ato pa asnjë arsyetim.

“Padyshim që ky veprim i kësaj qeverie është i qëllimshëm dhe me motive të ulëta të hakmarrjes sepse ju e dini që pikërisht ky departamenti apo kjo task-forcë brenda Policisë së Kosovës, ndonëse unë nuk mund të them se ka pasur kush e di se çfarë rezultate pozitive, por për aq sa ka pasur është marr me figura të larta përfshirë edhe ish-ministra dhe ish-partiakë të LDK-së dhe padyshim e kam parë si hakmarrje. Në vend që të vlerësohen të gjitha institucionet që merren me antikorrupsion pikërisht edhe ky departament, pa asnjë arsyetim, këta e mbyllën që është dashur që të fuqizohet dhe jo të shuhet. Prandaj, ne nuk kemi pasur shpresa se qeveria aktuale do mund të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha ajo.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë të mbajtur sot ka thënë se këtë vendim e ka marr pasi ka vlerësuar se vendimi i vitit 2010 për formim të Task-Forcës Antikorrupsion është i papërshtatshëm.

“Kam vlerësuar në këtë moment se ai vendim (për ngritjen e Task-Forcës Antikorrupsion) është i papërshtatshëm. Unë jam tash në krye të qeverisë dhe unë i marr vendimet mbi bazën e vendimeve bashkë me bashkëpunëtorët e mi”, theksoi ai. /Insajderi.com