Nga zëvendësministër i AAK-së në përkrahës të VV-së

Besim Demi për Gazetën Online Insajderi: Pasi që vendosa të largohem nga AAK, ishte momenti më i mirë para zgjedhjeve për të kontribuar sado pak në rritjen e numrit të votave për VV-në, dhe po ashtu t’i tregoja atyre që më besojnë politikisht se cilën parti mendoj se duhet të mbështesim.

Nga zëvendësministër i AAK-së në përkrahës të VV-së

Ish-zëvendësministri në Qeverinë Haradinaj, Besim Demi, i cili vinte nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tashmë po përkrah publikisht Lëvizjen Vetëvendosje.

Demi thotë se bindjet e tij politike kanë pësuar ndryshime për shkak të strukturave udhëheqëse të AAK-së që po vazhdojnë të jenë të njëjta që nga themelimi.

Një shkak tjetër që e bëri Demin të tërhiqet nga ky subjekt politik është edhe fakti që sipas tij “është parti që nuk e ka për qëllim të dalë e para, por vetëm të luftojë për mbijetesë”.

Ai bëri deklaratën publike pro Vetëvendosjes në prag të zgjedhjeve – dhe jo pa arsye.

Sipas Demit, parafushata ishte momenti më i mirë për të kontribuar në rritjen e numrit të votave për Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën thotë se do të jetë pjesë e saj ndonëse jo me anë të “aderimit klasik”.

“Unë në një mënyrë apo tjetër do të jem pjesë e VV-së, aderimet klasike nuk është që i pëlqej, me kohë do të sqarohen gjërat”, ka thënë ai.

Demi veç me partinë, është i zhgënjyer edhe me liderin. Në pikëpamjen e ish-zyrtarit të AAK-së, Haradinaj i ka ndryshuar bindjet.

“Në zgjedhjet e para sa më kujtohet ka qenë votë emocionale për Heroin e Luftës, Ramush Haradinaj. Pas një kohe ka filluar edhe miqësia si dhe bindjet politike të njëjta që i kam mbështetur, të cilat së fundmi kanë pësuar ndryshime radikale nga kreu i Partisë”, thotë ai.

Me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Demi shpreson që do të lehtësohet formimi i institucioneve dhe do të ketë përgjegjësi e llogaridhënie, “sikurse për veprimet e mira ashtu edhe për dështimet e mundshme të qeverisë”.

Demi ishte emëruar zëvendësministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga ish-kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2017.

Intervista e plotë:

Insajderi: Cilat janë arsyet që jeni larguar nga AAK-ja?

Demi: Arsyet janë disa; 1. Mos- reformimi i partisë edhe pse kishim Kryeministrin, si dhe në qeverinë Hoti kishim një pjesë të konsidereueshme të pushtetit.
2. Strukturat udhëheqëse të njëjta në parti që prej themelimit.
3. Parti që nuk e ka për qëllim të dalë e para, por vetëm të luftojë për mbijetesë.

Insajderi: Pse ky largim i juaji erdhi pikërisht në kohë zgjedhjesh?

Demi: Pasi që vendosa të largohem nga AAK, ishte momenti më i mirë para zgjedhjeve për të kontribuar sado pak në rritjen e numrit të votave për VV-në, dhe po ashtu t’i tregoja atyre që më besojnë politikisht se cilën parti mendoj se duhet të mbështesim.

Insajderi: Keni deklaruar publikisht se do të votoni VV-në, pse ndryshuat kahjen politike pas dy dekadash?

Demi: Në zgjedhjet e para, sa më kujtohet, ka qenë votë emocioanale për Heroin e Luftës, Ramush Haradinaj. Pas një kohe ka filluar edhe miqësia si dhe bindjet politike të njëjta që i kam mbështetë, të cilat së fundmi kanë pësuar ndryshime radikale nga kreu i Partisë.

Insajderi: A pritet që të aderoni në LVV?

Demi: Unë në një mënyrë apo tjetër do të jem pjesë e VV-së, aderimet klasike nuk është që i pëlqej, me kohë do të sqarohen gjërat.

Insajderi: Cilat janë pritshmëritë tuaja në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Demi: Ajo çka unë dëshiroj është që VV-ja ti fitojë mbi 50%. Kjo do të lehtësonte formimin e institucioneve, si dhe do kishte përgjegjësi dhe llogaridhënie konkrete, si për sukses po ashtu edhe për dështim nga qeveria dhe institucionet tjera. /Insajderi.com