Nga zyra e kryeministrit i përgjigjen Borrellit: Mos e lidhni aksionin me etni, por me luftën kundër kontrabandës

Nga zyra e kryeministrit i përgjigjen Borrellit: Mos e lidhni aksionin me etni, por me luftën kundër kontrabandës

Luan Dalipi, shefi i zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë Shefit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri që aksionin e së mërkurës mos ta ndërlidhë me etninë, por me luftën kundër kontrabandës.

Reagimi Dalipit erdhi pasi, Borrell kërkoi që të ndalen incidentet e dhunshme e çështjet të adresohen në Bruksel – aty ku zhvillohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Askush dhe në veçanti zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, nuk duhet të provojnë që këtë ta bëjnë problem politik apo etnik dhe koordinimi bilateral nuk është relevant në këtë rast, sepse ndalimi i krimit dhe tregtisë ilegale është kompetencë tipike e një vendi sovran”, ka thënë Dalipi në Twitter.

Ai ka përshkruar edhe situatën që e kaploi Veriun e Kosovës.

“Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës ka pasur në shënjestër krimin dhe kontrabandën në katër komuna në Kosovë, që njëra prej tyre është në pjesën veriore të vendit (ku kriminelët nxitën dhunë)”, pohoi Dalipi.

Situata në Veriun e Kosovës

Në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë rikthyer barrikadat e serbëve lokalë.

Kjo pas aksionit në Veriun e Kosovës të Policë kundër kontrabandës me mallra.

Por, plani operativ i Policisë u pengua pasi rrugët kryesore u bllokuan.

Përmes një kumtese, Policia ka treguar se “zyrtarët policorë janë rrezikuar nga grupet kriminale”, pasi në përdorim janë vënë edhe armët e zjarrit.

Policia në vetëmbrojte dhe për ta ruajtur qetësinë ka përdorur të gjitha mjetet e ligjshme.

Gjashtë zyrtarë policorë janë lënduar, prej tyre një ishte serb.

Reagimet nga Beogradi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme me kryetarët e komunave të Kosovës me shumicë serbe.

Për këtë ai është nisur për në bazën ushtarake të Rashkës, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug, transmeton Shqip.com

Sipas mediave në Beograd, takimi është thirrur për shkak të situatës dramatike që mbizotëroi të mërkurën në Veriun e Kosovës.