Nagavci uron maturantët për Provimin e Maturës Shtetërore

Nagavci uron maturantët për Provimin e Maturës Shtetërore

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të shtunën u ka uruar suksese maturantëve me rastin e mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore, njofton Insajderi.

Sipas saj, ky vit nuk ishte i lehtë për shkak të pandemisë, megjithatë është shprehur se “pa stres, me besim në veten dhe rezultatet që do t’i arrini, sot angazhohuni me fuqinë dhe njohuritë tuaja”.

“Jam e bindur se do t’i tejkaloni sfidat dhe ta përfundoni me sukses provimin. Është shumë e rëndësishme që të kemi rezultate reale jo vetëm për vlerësimin tuaj dhe regjistrimin në institucione të arsimit të lartë, por edhe për analizë të programeve mësimore, kurrikulave dhe zhvillimit të mësimit gjatë pandemisë, andaj ju lutem respektoni të gjitha rregullat e përcaktuara”, ka shkruar Nagavci.

23 mijë e 651 është numri i nxënësve të cilët sot iu kanë nënshtruar testit të Maturës Shtetërore 2021.

Në këtë proces sipas MASHTI-t, janë angazhuar mbi dy mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës dhe 200 vëzhgues./Insajderi.com