Ngërçi politik në Maqedoni, ekonomia ngadalësohet, kostot sociale rriten

Ngërçi politik në Maqedoni, ekonomia ngadalësohet, kostot sociale rriten

Jovan Angelov nuk e ka aspak të vështirë të parashikojë situatën që do të vijë, sepse një gjë e tillë ka ndodhur edhe më parë. Teksa Maqedonia zhytet gjithnjë e më thellë në grindjet e shumta politike, efektet e ekonomisë po fillojnë të ndihen në jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë si ç’është edhe Jovan Angelov, një punonjës qeveritar, shkruan Radio Europa e Lirë.

“Unë kam qenë në të njëjtën situatë edhe në vitin 2002, kur u pushova nga Elektro Skopje, – thotë ai për Radio Europa e Lirë, duke cilësuar si shkaktar të shkarkimit të tij nga puna, trazirat me të cilat u përball vendi pas tensioneve etnike, që e çuan atë në prag të luftës civile të vitit 2001.

“Unë pres që e njëjta gjë të ndodhë edhe tani dhe është pikërisht kjo ajo që më frikëson”.

Kohët e fundit, tensionet po shtohen gjithnjë e më shumë në shtetin ballkanik prej 2,1 milionë banorësh, me një shumicë sllave dhe një minoritet të madh etnik shqiptar, ku protestat mbi përfshirjen e partnerëve shqiptarë në një koalicion qeverisës të propozuar nga Partia Social Demokrate kanë hyrë në javën e tyre të shtatë të grevës.
Maqedonia hyri në krizë politike dy vjet më parë, mes pretendimeve se partia qeverisëse konservatore, VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ishte përgjegjëse për mbikëqyrjen e paligjshme të 20,000 njerëzve, përfshirë këtu gazetarët, politikanët dhe udhëheqësit fetarë.

Protestat masive antiqeveritarë e çuan Bashkimin Europian në krijimin e Prokurorisë Publike Speciale (SJO) e cila do të hetonte mbi regjistrimet dhe dorëheqjen e fundit të qeverisë së Gruevskit. Përveç katër zgjedhjeve të parakohshme, Maqedonia, ku gati një në katër persona është i papunë, do ta ketë shumë të vështirë për të vendosur stabilitetin politik në vend.

“Për fat të keq, një situatë e tillë ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë e cila ka mbetur në vend, shprehet për RFE-në, Fatmir Bytyqi, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Bizneset janë duke u përballur dhe duke luftuar me probleme likuiditeti, gjë kjo që e bën të pamundur për ta pagimin e borxheve që kanë. Dhe një situatë e tillë ka përfshirë edhe institucionet shtetërore, disa prej të cilave janë detyruar të ndërpresin kontratat ose të bëjnë shkurtime në numrin e punonjësve, sepse e kanë të pamundur të vazhdojnë për shkak të problemeve të tilla.

Partia VMRO-DPMNE fitoi 51 vende ndaj 49 të socialdemokratëve në votimin e dhjetorit për 120 mandate në Parlament, duke e bërë të pamundur krijimin e një qeverie pa partitë e shqiptarëve etnikë, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë.

Zoran Zaev, kreu i Bashkimit Social Demokratik të opozitës, ka rënë dakord të formojë një koalicion me disa parti etnike shqiptare, në këmbim të pranimit të kërkesave të tyre për rritje të të drejtave në fusha të ndryshme dhe sidomos për njohjen dhe pranimin e gjuhës shqipe si gjuha e dytë zyrtare në disa zona të caktuara të vendit.
Por presidenti Gjorge Ivanov, edhe pse pjesë e partisë VMRO-DPMNE, ka refuzuar t’i japë Zaevit mandatin zyrtar për të vazhduar me planin e tij. Ivanov ka argumentuar se çështja e gjuhës ishte thjesht një përpjekje për të shkatërruar pavarësinë e Maqedonisë dhe e ka akuzuar Shqipërinë për ndërhyrje në punët e saj të brendshme.

Ngërçi vazhdon

Duke u bazuar në shifrat e publikuara, pavarësisht trazirave në vend, Maqedonia duket se po e përballon mirë këtë situatë. Prodhimi ekonomik ka shënuar rritje vit pas viti nga 2012 në 2015. Por në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, rritja u ngadalësua në 2.2% për shkak të tkurrjes së investimeve dhe rritjes së dobët të kredisë, situatë kjo që sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar është reflektim i pasigurisë politike në vend.
“Ekonomia ka përballuar një numër të madh goditjesh gjatë dy viteve të fundit, duke përfshirë këtu edhe krizën e tejzgjatur politike, u shprehën analistët e FMN-së me bazë në Uashington, në raportin e tyre mbi ekonominë e Maqedonisë.

Rritja deri më tani ka treguar elasticitet, duke përfituar nga politikat akomoduese, çmimet e ulëta të mallrave, investimet e huaja të qëndrueshme, si dhe nga përmirësimi i kushteve të tregut të punës. Megjithatë, kriza e brendshme e tejzgjatur politike ka ndikuar negativisht në thyerjen e besimit të qytetarëve se vendi i tyre do të pranohet në BE.

Kriza aktuale është më e thella që nga koha kur përpjekjet diplomatike e ndihmuan Maqedoninë që të shmangte luftën civile gjatë një kryengritje të shqiptarëve etnikë në vitin 2001, nëpërmjet premtimeve të anëtarësimit të saj si në Bashkimin Europian ashtu edhe në NATO.
Në një prej mbledhjeve të fundit të BE-së, liderët e 28 vendeve anëtare të bllokut, kanë premtuar se do ta kenë Ballkanin çështje parësore, sidomos pas përpjekjeve të dukshme të Rusisë për të rritur ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit.

Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, u kërkoi më 21 mars liderëve të Maqedonisë që të lënë pas grindjet e brendshme politike dhe të formojnë sa më shpejt të jetë e mundur një qeveri, për të kapërcyer këtë ngërç që po e dëmton seriozisht ekonominë e vendit.

Një banor i Shkupit, i cili nuk pranoi të identifikohet, tregon për RFE, se duke përjetuar kaq shumë trazira gjatë kohëve të fundit, maqedonasit kanë fituar imunitet ndaj dhimbjes. Qytetarët e Maqedonisë janë të kërcënuar vazhdimisht nga aspekti financiar dhe ekonomik i këtyre krizave, në një vend që është pothuajse gjatë gjithë kohës në krizë, që nga vitet ’90 e deri në ditët e sotme. Situata veçse po përkeqësohet, vazhdon ai.
Megjithatë jo të gjithë ndihen të deprimuar nga një situatë e tillë. FMN-ja vuri në dukje se rritja ekonomike duhet të përshpejtohet këtë vit.

Gjokica Bozinovski shprehet i sigurt se situata politike nuk do të ketë asnjë ndikim në ekonominë e vendit, duke e quajtur krizën aktuale si “artificiale”.
“Pavarësisht kësaj krize politike të detyruar dhe mbi të gjitha artificiale, interesi nga investitorë të huaj po rritet dhe, përpos të tjerave, Maqedonia u ofron njerëzve të rinj kushtet e duhura për të hapur bizneset e tyre”, thotë ai në fund.