Ngjashmëritë e fjalimeve të Trumpit dhe Gruevskit

Ngjashmëritë e fjalimeve të Trumpit dhe Gruevskit

Fjalimi i Presidentit amerikan në largim, Donald Trump, me të cilin kërkoi të dënohen përgjegjësit e hyrjes së dhunshme në Kongres më 6 janar, është i ngjashëm me fjalimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, aktualisht në arrati, Nikolla Gruevski, i cili kishte kërkuar të njëjtën për përgjegjësit e hyrjes së dhunshme në Kuvendin  e vendit fqinj më 27 prill të vitit 2017, njofton Insajderi.

Sikurse Trump ashtu edhe Gruevski u akuzuan se i kishin nxitur këto ngjarje të dhunshme, duke mos pranuar rezultatet zgjedhore dhe duke refuzuar ta lëshonin qetësisht pushtetin.

“Si çdo amerikan, edhe unë jam i zemëruar nga dhuna dhe shkelja e ligjit. Amerika është dhe gjithmonë duhet të jetë një komb i ligjit dhe rendit. Atyre që u përfshinë në aktet e dhunshme, u them se nuk përfaqësojnë vendin tonë. Atyre që shkelën ligjin- do të paguani!”, tha Donald Trump, president i SHBA-ve.

Pothuajse i njëjtë ishte fjalimi i atëhershëm i ish kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Nikolla Gruevski.

“Dua ta dënoj dhunën që e bënë individë të caktuar duke i sulmuar një numër deputetësh. Asnjëherë nuk kam justifikuar dhunën, pavarësisht kush dhe pse e ka shkaktuar. Ftoj institucionet të bëjnë hetim të shpejtë dhe efikas dhe t’i zbulojnë fajtorët dhe të sigurojnë prova, menjëherë pas kësaj t’i shpiejnë para gjyqit ata që i lënduan deputetët, qytetarët dhe policët”, kishte deklaruar  Nikolla Gruevski, ish kryeministër.

Ndërkohë, deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, ironizoi me situatën duke tërhequr paralelen me ngjarjet e 27 prillit. I kërkoi SHBA-së t’i dënojnë ata që hapën dyert e Kongresit dhe jo t’i shpërblejë siç e shpërbleu vendi deputetin Krsto Mukoskin, i cili i kishte hapur dyert e Kuvendit. /Insajderi.com