Ngjela: Bashkëpunuan me Beogradin e Moskën, priten dy padi të menjëhershme ndaj Berishës dhe Metës

Ngjela: Bashkëpunuan me Beogradin e Moskën, priten dy padi të menjëhershme ndaj Berishës dhe Metës

Avokati dhe politikani i njohur shqiptar, Spartak Ngjela, thotë se vendimi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, për të përcaktuar publikisht ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha si të përfshirë në korrupsion, ishte akt i pritshëm dhe në kohë.

Se një vendim i tillë nga Departamenti Amerikan i Shtetit pritej tani, sipas Ngjelës lidhet me shumë arsye, ndër të cilat përmend edhe “bashkëpunimin e Sali Berishës e Ilir Metës me forca ndërkombëtare anti-amerikane, si Beogradi e Moska, për interesa krejt personale”.

Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, Ngjela thotë se personat si Berisha e Meta, kanë filluar lëvizjen e tyre për të shpëtuar paratë e korrupsionit, dhe tani janë hedhur në sulm kundër Amerikës për shkak të frikës nga konfiskimi i pasurisë dhe padia penale, e që kjo e fundit shumë shpejt do të ngritet për të dy në një kohë të menjëhershme.

I pyetur nëse ky vendim kishte të bënte me fushatën e 25 prillit, Ngjela beson se nuk ka lidhje me atë pjesë, por që thotë se Meta e Berisha kishin një skemë “për të destabilizuar Shqipërinë me pretendimin e manipulimit të zgjedhjeve, pas 25 prillit”.

Sipas tij, kjo skemë është bllokuar me nisjen e stërvitjeve ushtarake të Defender 21 në Shqipëri, ku aktualisht janë rreth 10 mijë trupa amerikanë, gjë që Ngjela thotë se lidhet drejtpërdrejt me vendimin e DASH-it për ta shpallur Berishën “non grata” në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk ka lidhje me fushatën e 25 prillit, por me një skemë që Meta dhe Berisha, e kishin për të destabilizuar Shqipërinë me pretendimin e manipulimit të zgjedhjeve, pas 25 prillit. Por, tani kjo iu është bllokuar, sepse në Shqipëri ka filluar stërvitja ushtarake, Defender 21, dhe aktualisht janë 8000 trupa amerikanë me gjithë mjetet e motorizuara. Sigurisht që kjo i ka tërhequr me frikë; dhe pikërisht në këtë kohë, doli edhe vendimi i DASH, për ta konsideruar Berishën nongrata në Shtetet e Bashkuara. Duhet të kuptohemi: të gjitha këto, janë të lidhura”, tha ai.

Avokati thotë se duke qenë trupat amerikane prezentë, nuk mund të ketë kundërlëvizje, por që thekson se pritet që shpejt të ngrihet padi kundër Berishës dhe Metës për korrupsion, “por edhe për një numër të vogël nga të dyja krahët e politikës shqiptare”.

Sipas Ngjelës, rrjedhimisht ky vendim i DASH-it e ka nxjerrë Berishën nga politika. Hapi i marrë nga SHBA-ja do të bëjë që të veprojë Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke ngritur dy padi njëherazi.

“Të gjitha ato që janë të shkruara në tekstin e DASH përkundër Sali Berishës, janë krime në Shqipëri, dhe ndiqen nga SPAK sigurisht që do të veprojë me padi penale kundër Sali Berishës. Por shenjat janë që do të ngrihen dy padi menjëherë; sepse edhe padia e Ilir Metës, mendoj se do të vijë në të njëjtën kohë. Ilir Meta po shkon drejt shkarkimit si president; dhe kjo është një çështe kohore shumë e shpejtë”, tha ai.

Derisa nga Partia Socialiste ka ardhur reagimi, se ky mesazh i SHBA-së është në mbështetje të drejtësisë së re, Ngjela thotë se ky vendim është në favor të PD-së, pasi që me goditjen penale kundër lidershipit të saj, do të largohen të korruptuarit dhe “personat e paaftë që e kanë uzurpuar lidershipin e PD-së për 30 vjet rresht”.

Intervista e plotë:

Insajderi: Z.Ngjela, ju tashmë njiheni si ndjekës dhe njohës i mirë i politikës së jashtme amerikane e sidomos i politikave të saj në Ballkan, e veçanërisht në Shqipëri. Si e komentoni vendimin e fundit të DASH?

Z.Ngjela: Ishte një akt i pritshëm, sepse Berisha, Meta dhe të tjerë si këta, po kuptohej, që për interesa krejt personale, po bashkëpunonin me forca antiamerikane ndërkombtarisht; me Beogradin dhe me Moskën. Ndërkohë po kërkojnë ndihmë deri ushtarake nga ata, se janë naivë, dhe nuk arrijnë të kuptojnë se çdo të thotë që Shqipëria ëshë një shtet i NATO-s. Në fakt, e kanë filluar lëvizjen e tyre për të shpëtuar paratë e korrupsionit, dhe tani që gjithçka po vjen drejt fundit, janë të trembur nga padia penale dhe konfiskimi i pasurisë, dhe janë hedhur në sulm kundër Amerikës. Po janë me koshiencë fëminore. Nuk kuptojnë dot asgjë, se janë shumë të trembur. Prandaj vendimi i DASH ishte tamam në kohë; dhe në Shqipëri ka shumë optimizëm tani. Kudo po ka gëzim.

Insajderi: E shihni të lidhur këtë vendim me fushatën e 25 prillit, ku duket se z.Berisha mbajti një rol disi më pasiv nga natyra e tij? Ju e njihni edhe personalisht z. Berisha dhe jeni ndër të vetmit që keni pasur një përballje brendapartiake me të ndërsa qeveriste.

Z.Ngjela: Jo, nuk ka lidhje me fushatën e 25 prillit, por me një skemë që ata, Meta dhe Berisha, e kishin për të destabilizuar Shqipërinë me pretendimin e manipulimit të zgjedhjeve, pas 25 prillit. Por, tani kjo iu është bllokuar, sepse në Shqipëri ka filluar stërvitja ushtarake, Defender 21, dhe aktualisht janë 8000 trupa amerikanë me gjithë mjetet e motorizuara. Sigurisht që kjo i ka tërhequr me frikë; dhe pikërisht në këtë kohë, doli edhe vendimi i DASH, për ta konsideruar Berishën nongrata në Shtetet e Bashkuara. Duhet të kuptohemi: të gjitha këto, janë të lidhura.

Insajderi: Cila mendoni që do të jetë kundërlëvizja e tij?

Z.Ngjela: Nuk mund të ketë kundralëvizje, sepse elita e Partisë Demokratike, edhe ajo është e trembur; ngaqë, një përqindje e madhe e saj, është e korruptuar. Por ju thashë: tani në Shqipëri janë trupat amerikane Defender 21, dhe gjithçka do të ndodhë duke qenë trupat këtu. Çfarë do të ndodhë? Sigurisht ngritja e padisë penale kundër Berishës dhe Metës për korrupsion, por edhe e një numri të vogël si këta, nga të dyja krahët e politikës shqiptare, majtas e djathtas.

Insajderi: Si avokat i mirënjohur që jeni, kam interes t’ju pyes edhe për raportin e këtij vendimi me drejtësinë. Pjesa shpjeguese e DASH e rëndonte me jo pak probleme figuren e z. Berisha, a përbën të dhëna me vlerë që burojnë nga drejtësia në Shqipëri? A pritet të reagojë ajo?

Z.Ngjela: Ky vendim i DASH, realisht e ka nxjerrë nga politika Sali Berishën. Por, ai po llomotit me të blerë prej tij, edhe me avokatë francezë të paguar me mendjelehtësi, por kot e ka. Të gjitha ato që janë të shkruara në tekstin e DASH përkundër Sali Berishës, janë krime në Shqipëri, dhe ndiqen nga SPAK. Pyetja që ngrihet këtu, është kjo: a do të veprojë SPAK me padi penale kundër Sali Berishës? Sigurisht që do të veprojë. Por shenjat janë që do të ngrihen dy padi menjëherë; sepse edhe padia e Ilir Metës, mendoj se do të vijë në të njëjtën kohë. Ilir Meta po shkon drejt shkarkimit si president; dhe kjo është një çështe kohore shumë e shpejtë.

Insajderi: Sipas jush, çka nënkupton për të ardhmen e PD-së ky vendim?

Z.Ngjela: Partia Demokratike e ka në favor të saj, sepse nga kjo reformë dhe kjo goditje penale kundër lidershipit të saj, do të largohen të korruptuarit dhe personat e paaftë që e kanë uzurpuar lidershipin e PD-së për tridhjetë vjet rresht. Qarkullimi cilësor në lidershipin e Partisë Demokratike, do të jetë një progres vlerash për të gjithë politikën shqiptare dhe për vetë Shqipërinë. /Insajderi.com