Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje të parave

Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për shpëlarje të parave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për shpëlarje të parave ndaj një personi me inicialet F. Rr.

Aktakuza është ngritur të premten e 18 shkurtit në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special.

Specialja njofton se “i pandehuri i lartëcekur me mjetet materiale të përfituara me aktivitete të ndryshme kriminale, aktivitete që ishin të ndërlidhura me vepra si ‘Trafikim me qenie njerëzore’ dhe ‘Mundësimi ose detyrimi në prostitucion’, ka bërë pagesën e lokaleve afariste të cilat gjendet në Fushë  Kosovë”.

“Gjithashtu, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit së pasurisë të përfituar me aktivitete të ndryshme kriminale dhe ikjes nga përgjegjësia penale, asnjëherë nuk e ka bërë bartjen e këtyre lokaleve në emër të vet, por të njëjtat edhe sot evidentohen në emër të pronarit të mëhershëm”, thuhet në njoftimin për media.

Me këto veprime i pandehuri F.Rr., akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parave”./Insajderi.com