Ngritet aktakuzë kundër D.H. dhe M.Sh. për trafikim me njerëz

Ngritet aktakuzë kundër D.H. dhe M.Sh. për trafikim me njerëz

 Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës D.H. për vepër penale: “Trafikimi me njerëz”, dhe kundër të pandehurit M.Sh. për “ndihmë në kryerjen e veprës penale trafikim me njerëz”.

Sipas aktakuzës, e pandehura D.H. nga muaji mars 2016 e gjer më 01.03.2017 në një kafiteri në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, ka rekrutuar dhe trafikuar një viktimë, duke e mashtruar dhe shfrytëzuar pozitën e saj të ndjeshme, e cila kishte çrregullime psikike.

“E pandehura D.H. e kishte punësuar  kinse si banakiere viktimën, e cila sipas udhëzimeve dhe për llogari të të pandehurës ka kryer shërbime seksuale me klientë të ndryshëm, të cilët në vazhdimësi  ia siguronte e pandehura, me qëllim që vetës t’i sjell dobi të kundërligjshme materiale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërsa i pandehuri M.Sh sipas prokurorisw  e ka ndihmuar të pandehurën D.H. në kryerjen e veprës penale të lartcekur.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.  /Insajderi.com