Ngritet aktakuzë kundër Gazmend Muhaxherit

Ngritet aktakuzë kundër Gazmend Muhaxherit

Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Siç njofton Prokuroria përmes një komunikate për medie, aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se Muhaxheri ka kryer veprën penale, “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore nga neni 402 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1  të KPRK-së”.

“Sipas aktakuzës i pandehuri G.M. si person përgjegjës, më datë 24 mars 2016, në cilësinë e Kryetarit të Komunës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotëfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës”, njofton komunikata.

“Në atë mënyrë që, pasi Gjykata e lartcekur ka marr Aktvendim me të cilin ka refuzuar të pa-themeltë ankesën e të autorizuarit të debitorit Komuna e Pejës, me Kryetar G.M., ndërsa Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm e ka vërtetuar”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria ka thënë se Muhaxheri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë, ndonëse ka qenë i obliguar që vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës ta respektojë në tërësi, duke e kthyer të dëmtuarin H.S. në vendin e punës, Drejtor i Auditimit të Brendshëm me të gjitha të drejtat dhe detyrimet  e duke ia paguar 50% të pagës nga dita e pezullimit deri në zbatimin e këtij vendimi.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore nga neni 402 paragrafi  2 lidhur me paragrafin 1  të KPRK-së, njofton Prokuroria. /Insajderi.com