Ngritet aktakuzë ndaj drejtorit të Klinikës Emergjente në ShSKUK

Ngritet aktakuzë ndaj drejtorit të Klinikës Emergjente në ShSKUK

Drejtori i Klinikës Emergjente në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Basri Lenjani, pritet që të përballet në Gjykatë me akuzat për veprën penale “mos raportim apo raportim i rremë i pasurisë”, përcjellë Insajderi.com.

Sipas aktakuzës së përpiluar në qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ka ngarkuar Lenjanin për mosraportim të saktë të pasurisë për vitin raportues në Agjencinë Kundër Korrupsion, raporton Betimi për Drejtësi.

Ai akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, nuk e ka deklaruar biznesin e bashkëshortes së tij Fatime Lenjani me emrin “OS ORAL DENT” e po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5,125.55 euro ku 2,763.13 euro i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK, ndërsa shumën prej 2,441.10 euro i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asociuar.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./Insajderi.com