Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Prizrenit

Ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Prizrenit me inicialet A.K., dhe SH.K., për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur detyrën, njofton Insajderi.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se A.K. si udhëheqës i Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit dhe Sh.K., si përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit, që të dy si persona zyrtar kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri, A.K., si udhëheqës i Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit dhe i pandehuri, Sh.K., si përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit, që të dy si persona zyrtar, në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, në atë mënyrë që i pandehuri,  Sh.K., në cilësi të përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prizren, pajtohet me propozimin e propozuesit, V.J., për rregullimin e megjeve, kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit, ku një pjesë e ngastrës kadastrale pronë e Komunës se Prizrenit, këmbehet me një pjese të ngastrës kadastrale, pronë e propozuesit V.J., e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës”, thuhet në njoftimin për media.

Në rastin konkret të akuzuarit po ashtu, nuk parashtrojnë mjetin e rregullt juridik – ankesënku si rezultat i kësaj propozuesi, V.J., pajiset me leje ndërtimore, me ç’rast i mundësohet ndërtimi i objektit – aneksit, të quajtur “Aneksi i Ri Euro Center”.

Me këtë rast të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.​/Insajderi.com