Ngritët aktakuzë ndaj inspektorit komunal të ndërtimit në Prizren

Ngritët aktakuzë ndaj inspektorit komunal të ndërtimit në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren përmes një komunikate për media, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.M., në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari N.M., në periudhën kohore prej vitit 2016-2017 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin përkatësisht për investitorët N.K., dhe S.V.

Në këtë mënyrë, i akuzuari N.M., nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të tetë (8) të kompleksit ndërtimor në lagjen ”Jeta e re” në rrugën ”Xheladin Hana”, i cili ka pasur leje për ndërtim për shtatë kate (P+B+7) dhe ka ndërtuar një kat pa leje (P+B+8).

Në anën tjetër, ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në rrugën “Rexhep Bajraktari” ndërtimin edhe të tri (3) kateve shtesë pa leje edhe pse leja e ndërtimit ka qenë për dy kate (B+P+2).

Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.