Ngritet aktakuzë ndaj një zyrtari në Komunën e Prizrenit

Ngritet aktakuzë ndaj një zyrtari në Komunën e Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër një zyrtari në Komunën e Prizrenit, me inicialet I.B., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, njofton Insajderi.

Sipas aktakuzës,  i pandehuri I. B., akuzohet se prej muajit mars e deri në fund të vitit 2016, në Prizren, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar në Komunën e Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, duke mos respektuar procedurat ligjore, paraqet kërkesë për shpallje të tenderit për projektin “Furnizimin me Software digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç’rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 28 mijë euro.

“Po ashtu i njëjti akuzohet se gjatë vitit 2017, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar në Komunën e Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, pa respektuar procedurat e parapara ligjore, pa kërkuar leje nga organet kompetente qendrore, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”,  i cili projekt nuk është funksionalizuar, me ç’rast i ka shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë prej rreth 100 mijë euro”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Insajderi.com