Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndaj zyrtarit policor të pikës kufitare në Han të Elezit, Shpëtim Bela.
Ngritjen e aktakuzës, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.
Aktakuza është ngritur më 29 shtator 2017, nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, pasi që kjo e fundit, më 13 shtator 2017, ka pranuar kallëzimin penal nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për tani të akuzuarin Bela.
Procedura ndaj Belës, do të udhëhiqet nga kryetarja e trupit gjykues Hysnije Gashi, e cila ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi”, se aktakuza është pranuar në gjykatë të hënën, më 2 tetor 2017, derisa sipas saj, shqyrtimi fillestar ndaj tij, pritet të mbahet në muajin e ardhshëm.
I akuzuari Bela, për veprën penale e cila tashmë i ngarkohet, fillimisht kishte qenë nën masën e paraburgimit, ndërkaq kjo masë me aktvendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj, i është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak, deri më 11 tetor 2017.
Ndryshe, i pandehuri Shpëtim Bela, po akuzohet se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk ka kryer detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj.
Bela, po akuzohet se si zyrtar policor, i caktuar sipas orarit ditor në hyrje të pikë kalimit kufitar për kontrollin e dokumenteve të personave dhe automjeteve, në Han të Elezit, i ka mundësuar personit Xhemal Gottermejer, i cili kishte fletarrest ndërkombëtar, që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës, pa u kontrolluar dhe regjistruar në sistemin “SMK”.
Sipas aktit akuzues, tani i pandehuri Bela, ka qenë në dijeni se personi Xhemal Gottermejer kishte fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet zvicerane, por megjithatë ka lejuar që ai të hyjë në territorin e Kosovës, pa u regjistruar fare.
Ndërsa, në aktakuzë nuk theksohet se për çfarë veprash penale akuzohet Xhemal Gottermejer, dhe për çfarë arsyesh ndaj tij është lëshuar fletarrest ndërkombëtar.