Është ngritur aktakuzë ndaj personit me iniciale F.M për kërcënim ndaj ambasadorit të Kosovës në Francë, Qëndrim Gashit.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se aktakuza është ngritur për shkak të veprës penale, ‘Shtyja për kryerjen e veprave terroriste”.
Qëndrim Gashi kishte shpërndarë një artikull të një gazete franceze rreth vrasjes së një mësuesi në Francë një terrorist. Por, në artikull si ilustrim ishte e paraqitur edhe karikatura e Profetit Muhamed.
Kishte pasur reagime të shumta për shkarkimin e tij, duke përfshirë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Por, në rrjetet sociale gjakrat ishin acaruar, për të kërkuar edhe vrasjen e Gashit.
Një personi kjo i ka kushtuar që të përballet me organet e drejtësisë.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri F.M. më 19.10.2020, përmes rrjetit social “Facebook”, në Fushë Kosovë, me paramendim dhe dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese ndaj Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë z. Qëndrim Gashi, me përmbajtje “shkurt e shqip duhet të vritet Qëndrim Gashi” dhe “ka si ti ende do vritet edhe ky qeni Qëndrim Gashi”, për shkak se i dëmtuari në profilin e tij në “Twitter” kishte postuar një karikaturë të profetit Muhamed, si shenjë reagimi ndaj vrasjes së mësuesit në Francë, ashtu që i pandehuri me këto postime ka bërë thirrje me qëllim të shtytjes për kryerjen e aktit terrorist e duke shkaktuar rrezik që një apo më shumë vepra të këtilla të kryhen”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com