EULEX ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që dyshohen se kanë ushtruar ndikimin e tyre që në këmbim të pagesave deri në 1 mijë Euro, të sigurohet statusi dhe pensioni i " />

Ngritet aktakuzë për mashtrim në listat e veteranëve dhe seks me pagesë

Ngritet aktakuzë për mashtrim në listat e veteranëve dhe seks me pagesë

EULEX ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që dyshohen se kanë ushtruar ndikimin e tyre që në këmbim të pagesave deri në 1 mijë Euro, të sigurohet statusi dhe pensioni i veteranit të UCK’së.

Aktakuza, sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit përfshin edhe mundësimin ose detyrimin në prostitucionin, duke u pretenduar se njëri nga të pandehurit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave, duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj.

“Policia e Kosovës dhe e EULEX-it i kanë filluar hetimet e tyre të përbashkëta në janar të vitit 2016. Hetimet kanë sjellë deri te zbulimi i një rrjeti ilegal të tregtimit të armëve dhe një sasie të armëve që përbëheshin nga eksplozivë dhe dy armë automatike. Përveç këtyre, në posedim të pandehurve ishin kapur edhe disa armë tjera të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi prokuroria pretendon se të pandehurit kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro. Të pandehurit kësisoj e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror të Kosovës.

“Tre të pandehur janë akuzuar për veprat penale në lidhje me këto veprimtari (Ushtrim i ndikimit, Mashtrim dhe Falsifikim të dokumenteve), nga të cilët dy ishin falsifikuesit e këtij statusi me anë të mashtrimit, ndërsa njëri ishte përfitues i statusit të falsifikuar të veteranit të luftës”.

“Në të njëjtën kohë, njëri nga të pandehurit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave; duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj dhe duke përfituar nga kjo veprimtari”, thuhet më tej në njoftim.

Aktakuzë është ngritur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.