Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër drejtoreshës së Arsimit në këtë komunë, Xhemile Thaçi-Vezgishi, për mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë, përcjell Insajderi.
Sipas njoftimit të prokurorisë, ajo në cilësinë e zyrtares së lartë publike, nga data 01.03.2020 deri më datë 31.03.2020, afat i cili është vazhduar deri më 19 qershor 2020, nuk kishte përmbushur detyrimet ligjore për deklarimin e pasurisë në afatin e paraparë edhe pse disa herë ishte njoftuar paraprakisht për ketë.
Tutje, në njoftim thuhet se Thaçi-Vezgishi kishte përmbushur me vonesë formularin për deklarimin e pasurisë si dhe nuk kishte deklaruar të ardhurat personale të realizuara nga paga mujore që e ka marrë si zyrtare e lartë publike për periudhën raportuese 2019.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që e akuzuara të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit”./Insajderi.com