Ngritja e kontestuar akademike e doktorit me aktakuzë për stentat (Dokument)

I akuzuar në rastin “Stentat”, dhe i larguar nga puna në QKUK edhe për denoncime të më vonshme të natyrës së njëjtë, doktorit Gani Bajraktari i kontestohet edhe ngritja e tij akademike, sipas dokumenteve që ka siguruar Insajderi.

Ngritja e kontestuar akademike e doktorit me aktakuzë për stentat (Dokument)

Ishte korriku i vitit 2019 dhe doktori Gani Bajraktari dyshohet se kishte referuar së paku një pacient që kishte ardhur në spitalin publik që të shkonte në një spital privat. Insajderi ka siguruar komunikimin në mes të Shërbimit Spitalor të Kosovës dhe Prokurorisë për konfirmimin e hetimeve në këtë rast.

Edhe një komunikim i brendshëm i Odës së Mjekëve e konfirmon një hetim të këtij institucioni kundër doktorit Bajraktari. “Ka referuar pacientë nga SHKUK-ja në spitalet private me qëllim të përfitimit materiale”, thuhet në arsyetimin e nisjes së hetimeve.

Gani Bajraktari ishte bërë lajm sensacional edhe një vit më parë kur si i akuzuar në rastin “Stentat”, ishte fotografuar duke luajtur “me letra” në sallën e gjyqit.

Ai me dhjetëra mjekë tjetër akuzohen për vepra të ndryshme, por që kryesisht lidhen me keqpërdorim tëdetyrës duke referuar pacientë me sëmundje zemre për tu shëruar në spitalet private ku dyshohet se Bajraktari, dhe mjekët tjerë, përfitonin pastaj financiarisht nga këto biznese private-spitale.

Aktualisht ai është i larguar nga puna në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), por vazhdon  të jetë pjesë e stafit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin publik në Prishtinë.

Dokumentet që ka siguruar Insajderi e kontestojnë edhe ngritjen e tij drejt botës akademike.

Një dokument i vitit 2005 i Ministrisë së Shëndetësisë, në kuadër të Institucioneve të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës nuk e kishte nosftrifikuar certifikatën e tij për përfundimin e një specializimi në lëminë e kardiologjisë të përfunduar në Tiranë, Shqipëri.

Kjo pasi që për të njëjtën periudhë ai kishte deponuar dokumente që potenconin se për të njëjtat vite, 1993-1997 ai ka përfunduar specializim në kardiologji në Tiranë, dhe po ashtu specializim në mjekësinë interne në Prishtinë. “Është e pamundur që të kryhen dy specializime…. në të njëjtën kohë”, thuhet nëkëtë dokument.

Megjithatë kjo nuk do ta pengonte që ai të avancohej në botën akademike.

Kjo i kishte shtyre tutje drejtuesit e Katedrës Interene në Fakultetin e Mjekësisë që në vitin 2007 të shkruanin një letër atëherë Kryeadministratorit, Joachim Ruecker dhe OSBE-së ku thuhet, ndër të tjera se Dr. Gani Bjaraktarin Senati i UP-së në vitin 2006 e ka avancuar me dokumente të falsifikuara. E akuzonin edhe si anëtarë të, siç e quanin ata, klanit të Rektorit (të atëhershëm), Enver Hasani.

Avancimin e tij e në UP e kishte kontestuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës në vitin 2007, ku në dokumentet që ka siguruar Insajderi thuhet që vendimi i Senatit të UP-së i vitit 2006, ku avancohet edhe Gani Bajraktari, duhet të anulohet. Edhe ky institucion kishte potencuar edhe një herë se nuk mund të kryheshin dy specializime për fusha të ndryshme të mjekësisë e në të njëjtën kohë në dy shtete të ndryshme.

Në një përgjigje të gjatë, që përmban edhe akuza se ekzistojnë klane në sistemin shëndetësor në vend, Bajraktari thotë që“marrëzia e vënë në atë letër (në të cilën ju keni mbështetur pyetjen: “se kam kryer dy specializime ne dy vende te ndryshme”), është e pasaktë, sepse të dy stazhet specialistike janë kryer në Tiranë. Krejt çfarë ne (grupi ynë, se nuk isha vetëm unë) kemi bërë në Prishtinë ishte një ditë pune, marrja e Vendimit në Ministri dhe organizimi i provimit pas mbarimit të shkollimit specialistik”.

Insajderi ka pyetur edhe Fakultetin e Mjekësisë si dhe Rektoratin e UP-së. Derisa nga Fakulteti i Mjekësisë ende nuk kanë komentuar për këto dokumente, në Rektorat thonë se në këtë institucion nuk është deponuar ndonjë ankesë, informatë apo kërkesë lidhur me këtë rast dhe se nëse ndodhë një gjë e tillë atë do ta trajtoj Komisioni i Etikës brenda UP-së.

Në faqen e Fakultetit të Mjekësisë në UP shkruan që Gani Bajraktari aktualisht është Profesor i rregullt në katedren e Mjekësisë Interne./ Insajderi.com