Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se vërshimet në këtë komunë kanë ndodhur edhe për shkak të ngushtimit të shtretërve të lumenjve dhe mbylljen e kanaleve të ujërave atmosferike.
Ai gjatë vizitës që ka bërë në dy fshatrat e vërshuara ditën e hënë Dumosh e Bellopojë, ka thënë se do të bëjnë zgjerimin e shtretërve aty ku janë ngushtuar dhe po ashtu hapjen e kanaleve të ujit.
“Gatë vizitës në fshatrat Bellopojë dhe Dumosh, kryetari Bulliqi është interesuar për dëmet që u janë shkaktuar banorëve nga vërshimet dhe për nevojat që janë shfaqur. Kryetari tha se sot gjendja është stabile dhe tashmë uji në shumë vende është kthyer në shtretërit e lumenjve. Kryetari Bulliqi tha se bazuar në vizitat dhe raportimet nga tereni është konstatuar se ekzistojnë disa faktorë që kanë ndikuar të shkaktohen vërshimet”, thuhet në njoftimin e Zyrës për informim të Komunës së Podujevës.
Sipas të njëjtit njoftim, në disa fshatra janë vërshuar tokat bujqësore si pasojë e ujërave sipërfaqësore të grumbulluara nga reshjet e shumta.
“Bazuar në informacionet e terrenit, krahas daljes nga shtrati të përroskave dhe rritjes së nivelit të lumenjve, vërshimet janë shkaktuar edhe si pasojë e ngushtimit të shtretërve të tyre dhe nga mbyllja e kanaleve të ujërave atmosferike. Si komunë do të ndërmarrim masa që të intervenohet në sanimin e kanaleve të mbyllura atmosferike dhe në vendet ku janë ngushtuar shtretërit e lumenjve dhe përroskave”, ka theksuar nëpërmjet këtij njoftimi Bulliqi.
Zyrtarët komunalë kanë thënë se Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve, i ngritur nga komuna e Podujevës, është në terren dhe po merret me evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në ekonomitë familjare dhe në tokat bujqësore./Insajderi.com