Nis fushata për sterilizimin e kafshëve në Gjilan

Nis fushata për sterilizimin e kafshëve në Gjilan

“Qeni i lumtur”, është  një projekt vullnetar nga organizata “Awareness & Compassion Transmitter Organisation” së fundi i është bashkuar thirrjes së shumë organizatave ndërkombëtare për promovimin e mirëqenies së kafshëve shoqëruese – shtëpiake, konkretisht kastrimin dhe sterilizimin e tyre.

Kjo iniciativë për herë të parë përkrahet edhe nga një kompani [private nga Gjilani, e cila do të ofrojë shërbime veterinare me 50 % ulje në kosoto, për 10 ditë me radhë gjatë muajit mars.

Aktivistët e kësaj organizate e kanë mirëpritur  këtë lajm dhe kanë thënë se është motivuese që po marrin përkrahje nga instanca të ndryshme që t’iu  ndihmojnë për perceptimin e kësaj teme ndryshe edhe nga publiku.

“ Kjo sigurisht që është lajm i mirë edhe motivues edhe për subjektet tjera si dhe institucionet, ngase do të ndihmojë në perceptimin e kësaj teme ndryshe edhe nga publiku. Kur bëhet fjalë për organizata të huaja që ndihmojnë këtë çështje qytetarët e nënvlersojnë këtë punë, duke e arsyetuar se të huajt jane të dhënë pas kafshëve dhe nuk i japin vëmendje e rëndësi kësaj teme. Inciativa vjen nga njerëzit lokal sigurisht ndikon në  qasje ndryshe të publikut dhe institucioneve tjera ndaj  promovimit të shëndetit dhe të drejtave të kafshëve, dhe sigurisht do të ndikojë edhe në motivimin e tyre për t’ iu bashkuar iniciativave të ngjashme”, ka thënë aktivisti Isuf Bytyçi për Gazetën Insajderi.

“Qeni i lumtur”  ka për qëllim të vetëdijësimit e shoqërisë për rëndësinë e përkujdesjes ndaj njeri-tjetrit, kafshëve dhe natyrës, fillimisht është punë vullnetare, pastaj  aktivistët e kësaj organizate shpresojnë edhe për përkrahje tjera.

“Ne besojmë se duke e vlerësuar punën e të gjithë aktereve në këtë çështje, sigurisht që të gjithë kontribuojmë në zgjidhje të qëndrueshme në përgjithësi, si dhe inspiron të tjerët të bashkangjiten në këtë qëllim”, ka thënë Bytyçi.

Po ashtu ndryshimet pozitive për mbrojtjen e kafshëve në Kodin Penal të Republikës së Kosovës , do të hyjë në fuqi nga muaji Prill 2019.