Nis gjykimi ndaj Salih Mustafës

Nis gjykimi ndaj Salih Mustafës

Salih Mustafa sot do të dalë sërish para trupit gjykues në Gjykatën Speciale.

Gjykimi i ish-komandantit të UÇK-së do të fillojë në ora 09:30.

Mustafa, i njohur me emrin e luftës si “Komandant Cali”, po mbahet në masën e paraburgimit që nga shtatori i vitit 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale.

Gjykata Speciale në Hagë

Në aktakuzën e konfirmuar, Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Krahas tij, në Hagë po gjykohen edhe ish-krerë të tjerë të luftës, përfshirë dhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Theksojmë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu më 30 dhe 31 mars ka vizituar Jakup Krasniqin, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin, Rexhep Selimin dhe Pjetër Shalën të cilët janë të paraburgosur në Hagë. Një vizitë e tillë nuk iu lejua nga gjykata ta bëjë edhe me Mustafën.

Ndërsa, Thaçi dhe Veseli kishin refuzuar ta takojnë Haxhiun /Insajderi.com