Nis grumbullimi i plazmës së gjakut për trajtimin e Coronavirusit në Kosovë

Nis grumbullimi i plazmës së gjakut për trajtimin e Coronavirusit në Kosovë

Infektologu në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Sali Ahmeti, ka njoftuar se kanë filluar me grumbullimin e plazmës konvalescente nga personat të cilët e kanë kaluar sëmundjen COVID-19.

Institucionet shëndetësore, përmes një udhëzuesi kanë vendosur që të fillojë trajtimi i pacientëve të infektuar me Coronavirus me plazmën konvalescente, si terapi mbështetëse.

Infektologu Ahmeti, i cili njëherësh është kryesues i grupit punues për hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës konvalescente, thotë se kanë përfunduar të gjitha procedurat administrative për fillimin e dhënies së plazmës konvalescente.

“Transfuzioni i gjakut ka filluar grumbullimin e dozave të para. Me udhëzuesin tonë, këtë trajtim me plazmë konvalescente do ta aplikojmë te format e rënda të sëmundjes ose të format që kanë tendencë të përkeqësimit të shpejtë”, thotë Ahmeti.

Sa i përket sasisë së grumbulluar të plazmës konvalescente, Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani kanë pasur vetëm tre dhurues të plazmës.

“Shpresojmë që në ditët në vijim të kemi më shumë doza të plazmës”, tha shkurt Zhubi.

Trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin. Transfuzioni i antitrupave besohet se krijon atë që njihet si “imuniteti pasiv” te të prekurit me COVID-19./Insajderi.com