Ka nisur mbledhja e tetë e përbashkët e të dyja qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në fjalën hyrëse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se tani Kosova dhe Shqipëria mund ta lexojnë më qartë gjendjen e krijuar në rajon e botë dhe tha se “përcaktimi ynë është më i thjeshtë”.
“Prandaj, edhe këto mbledhje të qeverisë tingëllojnë më të vërteta e më efektive sesa më parë”, tha ai.
Kurti foli më tej se si duhet të jetë bashkëpunimi rajonal.
“Bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esenciale politike mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social”, tha Kurti.
“Bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombit dhe ndërmjet dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se veç sa po e zbatojmë në rastin tonë parimin dhe praktikat tashmë të njohura të Bashkimit Europian, përderisa edhe anëtarësimi ynë në BE mbetet synimi ynë i përhershëm dhe drejtues i politikave tona”, tha kryeministri.
Pëveç Kurtit e Rmaës, të pranishëm janë edhe ministrat e të dyja kabineteve qeveritare.
Sot aty pritet të nënshkruhen 19 marrëveshje.
Historiku i mbledhjes të dy qeverive:
Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.
Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.
Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.
Pas Thaçit do të ishte ish-kryeministri Isa Mustafa qe do të vinte në Tiranë dhe së bashku me Ramën në mbledhjen e 23 marsit 2015 do të nënshkruanin 5 marrëveshje, 4 memorandume dhe 2 protokolle bashkëpunimi.
Tradita vazhdoi edhe më 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.
Më pas, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4-të e dy qeverive u mbajt ne Korçë më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.
Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.
Nën sloganin “Bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti.
Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare një shtetas nga Kosova mund të marrë lejen e qëndrimit vetëm me një aplikim për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.
Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të 2021-tës qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.
Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë.
Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura, dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar./Insajderi.com