Nis procesi i deratizimit vjeshtor në Prishtinë

Nis procesi i deratizimit vjeshtor në Prishtinë

Që nga dita e sotme dhe për dy javë të rresht do të bëhet procesi i eliminimit të brejtësve apo deratizimi vjeshtor i rrjetit të kanalizimit, bodrumeve dhe garazhave publike në lagjet e Prishtinës, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se me këtë proces synohet të ruhet shëndeti publik përmes zvogëlimit dhe mbajtjes nën kontroll të numrit të brejtësve në rrjetin e kanalizimit, gjë që mund të paraqet kërcënim për shëndetin e qytetarëve.

“Tё hёnёn, me 19 tetor fillon procesi i deratizimit vjeshtor (eleminimit të brejtësve) i rrjetit të kanalizimit, bodrumeve dhe garazhave publike nëpër lagjet e Prishtinës. Ky proces ka për qëllim ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm të qytetarëve përmes zvogëlimit dhe mbajtjes nën kontroll të numrit të brejtësve që qarkullojnë nëpër rrjetin e kanalizimit e që mund të paraqesin kërcënim për shëndetin publik të qytetarëve”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve.

“Bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është shumë i rëndësishëm, andaj, ju lusim pёr bashkёpunim në mënyrë që tё realizohet me sukses. Kërkojmë qё t’i hapni dyert e podrumeve dhe garazhave në mënyrë që të sigurohet qasje e lehtë në këto hapësira, derisa monitorimi i këtij procesi do të jetë i vazhdueshëm nga ana jonё. Ju falemnderit paraprakisht!”, ka shkruar kryetari i Prishtinës. /Insajderi.com