Nis protesta para Rektoratit për shkarkimin e Ardian Kastratit nga UP-ja

Nis protesta para Rektoratit për shkarkimin e Ardian Kastratit nga UP-ja

Para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës është duke u mbajtur protestë për shkarkimin e profesorit të këtij Universiteti, Ardian Kastrati, njofton Insajderi.

“UP seksiste”, “Seksistat jashtë”, janë dy nga parullat që po i mbajnë në duar protestutesit.

Protesta po mbahet për shkak të një postimi që Kastrati kishte bërë pas zgjedhjes së presidentes së shtetit, Vjosa Osmanit.

Ai kishte bërë një status në profilin e tij në Facebook duke cituar një përshkrim të shkrimtarit, Faik Konica, i cili është marrë si ofendim ndaj Osmanit.

“Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në ‘Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot: ‘…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit’”, ka shkruar ai.

Më vonë Kastrati e ka fshirë postimin e më pas ka mohuar se i është kushtuar Osmanit apo kujtdo tjetër.

Postimi i Kastratit i cili është edhe deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka ngjallur reagime të shumta./Insajderi.com