Ka nisur në Bruksel takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, ku janë takuar kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, shkruan Insajderi.
Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiq është duke u zhvilluar në prani të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, raporton ‘Tanjug’.
Borrell, ka thënë se takimi i sotëm mes Kosovës e Serbisë është shumë i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Mbajtja e kontakteve të rregullta është e rëndësishme dhe tregon përkushtim për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Do të vazhdojmë sot diskutimet për rezultatet e arritura deri tani, hapat e ardhshëm para nesh dhe rrugën përpara në zhvillimin e këtij dialogu”, ka thënë ai.
“Kosova dhe Serbia duhet që më në fund ta mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve duke shikuar përpara drejt rrugës evropiane për qytetarët e vet. E ardhmja është më e rëndësishme sesa e kaluara”, tha ai para gazetarëve./Insajderi.com