Nis votimi në Shqipëri

Nis votimi në Shqipëri

Qytetarët e Shqipërisë sot iu drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e deputetëve për katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë, transmeton Insajderi.

Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë një mijë e 841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.

Identifikimi elektronik është një nga risitë e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri. Kjo do të aplikohet në të gjithë vendin, ndërsa do të parandalojë edhe mundësinë për votim të dyfishtë.

Një risi tjetër gjatë këtyre zgjedhjeve janë kamerat në çdo qendër të votimit, raporton KP.

Në rast problematikash ato do të jenë një provë e mëtejshme për garantimin e sigurisë së procesit dhe ndjekjen e incidenteve.

Ndryshe nga Kosova që është një zonë zgjedhore, Shqipëria është e ndarë në 12 zona zgjedhore që përkojnë me ndarjen territoriale të qarqeve dhe në secilën prej këtyre zonave është e përcaktuar një numër i caktuar mandatesh.

Qarku i Tiranës ka numrin më të madh të mandateve ku partitë luftojnë për 36 ulëse.

Qarku i Fierit ka 16 mandate, Durrësi dhe Elbasani me nga 14 mandate, Vlora me 12 mandate, Shkodra dhe Korça me nga 11 mandate, ndërsa qarku i Beratit dhe ai i Lezhës kanë nga 7 mandate secila. Qarku i Dibrës me 5 mandate, i Gjirokastrës me 4 dhe i Kukësit me 3 kompletojnë 12 zonat zgjedhore dhe 140 ulëset në Kuvendin e Shqipërisë. /Insajderi.com