Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë nis sot zyrtarisht për të përfunduar pas 10 ditëve, njofton Insajderi.
Subjektet politike që sot iu lejohet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 14 shkurtit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ishte e para që hapi fushatën menjëherë pas fillimit të afatit zyrtar mbrëmë në mesnatë, përmes një video-materiali, në të cilin kandidati për kryeministër – Avdullah Hoti -shpalosi zotimet dhe prioritetet e tij në mandatin qeverisës.
Sot kjo parti nga ora 17:00 do të hapë fushatën në Podujevë, komunë kjo të cilën ajo e humbi në garën e vitit të kaluar për kryetar, për herë të parë pas 20 vjet qeverisje.
Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidat për kryeministër në garën e 14 shkurtit është Albin Kurti, i cili gjatë shpalosjes së programit qeverisës tha se ai është bartës i listës, pavarësisht se KQZ e ka lënë jashtë duke zbatuar kështu aktgjykimin e Kushtetueses se në garën zgjedhore nuk kanë të drejtë pjesëmarrjeje personat e dënuar për vepra të ndryshme penale në tri vjetët e fundit.
Kjo parti sot do të hapë fushatën zyrtarisht në Pejë, në ora 12:30, ndërsa në ora 10:00 do të bëjë hapjen edhe në qytetet e tjera, si Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj.
Listës së Partisë Demokratike të Kosovës i prin Enver Hoxhaj që kandidon për postin e kryeministrit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot hap zyrtarisht fushatën në Prizren, në ora 15:00. Listës së kësaj partie i prin Ramush Haradinaj, i cili nuk synon postin e presidentit të vendit.
Hapjen zyrtare të fushatës do ta bëjë edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, kandidat për kryeministër të Kosovës, në ora 13:00. /Insajderi.com