Nisë shitja e vajit të kanabisit në barnatoret e Maqedonisë

Nisë shitja e vajit të kanabisit në barnatoret e Maqedonisë

Që nga e hëna, në Maqedoni mund të blihet vaji i kanabisit apo i marihuanës, por vetëm me recetë, njoftoi ministri maqedonas i Shendetësisë, Nikolla Todorov.

Kësisoj, fqinji i Kosovës, bëhet vendi i parë në rajon që legalizon, përdorimin, prodhimin dhe blerjen e kanabisit për qëllime mjekësore.

Në fakt, Kroacia ka miratuar një rregullore të ngjashme, por Maqedonia ka shkuar një hap më tej, duke e bërë të mundur kultivimin e bimëve dhe prodhimin e ekstraktit që mund të kryhet nga çdp person juridik që i plotëson kushtet e parapara.

Siç raporton “Vice Serbia”, ata që mund të kultivojnë, përpunojnë dhe blejnë vajin e kanabisit janë personat të cilëve mjeku ua rekomandon konsumimin e tyre, dhe shumica e personave që do të lejohen ta bëjnë këtë janë ata të sëmurë nga kanceri.

Ligji parasheh që në treg të gjenden tre lloje të prodhimeve. Vaj që në vete përmban jo më shumë se 0.2 për qind THC, vaj që do të ketë mbi 0.2 për qind THC dhe grupi i tretë janë preparate të cilat tani më janë të regjistruar me bazë konopi dhe gjenden në tregun evropian.

Shqipëria, në anën tjetër, sipas  një prononcimi të vitit të kaluar të kryeministrit Edi Rama, thuhet se është ende herët që të diskutohet për legalizimin e marihuanës edhe për nevoja mjekësore, ndërsa në Kosovë as që ka debat për këtë çështje.

Tek para dy viteve, një grup i aktivistëve të bashkuar nën emrin “Prishtina Calling”, me 20 prill 2015 kishin organizuar Share/Love – 4/20 Prishtina në parkun e Gërmisë, për të hapur debat mbi kanabisin. Kjo kishte rezultuar me një aksion të madh të Policisë së Kosovës që kishte pasur sukses të gjejë 8 gram marihuanë./Insajderi.com