Nisin hetimet për derivatin helmues në Maqedoninë e Veriut

Nisin hetimet për derivatin helmues në Maqedoninë e Veriut

Dogana e Maqedonisë së Veriut do të kontrollojë se si janë përgatitur deklaratat doganore për karburantet që janë importuar nga viti 2018 deri në 2020.

Sipas tyre, tani për tani nuk mund të thonë nëse ka pasur parregullsi ose lëshime nga radhët e tyre pas rastit kur vaji helmues është importuar për t’u djegur në vend me deklaratë për mazut.

Por, nga Dogana e RMV-së nuk sqaruan se si është e mundur të ndryshohet numri tarifor për vajin e djegur që ndotë jashtëzakonisht shumë, me numrin për mazut, i cili ndot më pak.

“Mallrat në deklaratën doganore deklarohen në bazë të dokumenteve të dorëzuara (fatura, dokumente transporti – CMR, certifikata e origjinës, certifikata e cilësisë). Në bazë të këtyre dokumenteve, nëpunësi doganor deklaron mallrat në numrin e duhur tarifor (kodin) në deklaratën doganore të importit”, thonë nga Drejtoria e Doganave e vendit fqinj.

Për rastin me mazutin e rrejshëm, Dogana ka konstatuar se deklaratat doganore përputhen me derivatin.

“Drejtoria Doganore gjatë kontrollimit të të dhënave në deklarata ka konstatuar se të dhënat nga deklaratat doganore korrespondojnë me derivatin që është importua”, theksojnë nga Drejtoria e Doganave.

Nga Dogana nuk zbuluan kur për herë të fundit kompania e Kërçovës “Eurotim” ka importuar  mazut nga “Hifa Oil” e Bosnjës, pasi siç  thonë, informata ishte konfidenciale.

Ndryshe, sipas storjes hulumtuese televizive, vaji i djegur i cili në mënyrë të rrejshme është raportuar si mazut, në vend është përdorur për ngrohjen e spitaleve dhe institucioneve të tjera shtetërore, por edhe si lëndë djegëse në disa kompani si BRAKO dhe Euronikel në Kavadar të Maqedonisë së Veriut./Insajderi.com