Nisin hetimet për dy policë të Kosovës që e dënuan qytetarin me ligj të Serbisë

Nisin hetimet për dy policë të Kosovës që e dënuan qytetarin me ligj të Serbisë

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës në Novobërdë janë suspenduar sot nga puna, pasi të njëjtit kanë dënuar një qytetar, ndërsa në fletëparaqitje kishin shkruar se ai kishte shkelur ligjin e Serbisë për masat anti-COVID’19, transmeton Insajderi.

Nga Inspektorati Policor i Kosovës thonë se këta zyrtarë policorë do të hetohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Zyrtarët policor nga SP-Novobërdë do të hetohen nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së, raporton Kallxo.

“Zyrtarët policor patrullues nga Stacioni Policor Novobërdë janë suspenduar për 72 orë në bazë të kërkesës së IPK-së drejtuar Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, në bazë të kërkesës urgjente, më pas për interes të hetimit do të bëhet rekomandimi për vazhdim të suspendimit”, thonë tutje nga IPK.

IPK tutje ka treguar se cilat ishin veprimet e zyrtarëve policor karshi qytetarit që kishin dënuar duke u bazuar në ligjet e Serbisë.

“Qytetari është dënuar në bazë të ligjit 07/L-006 “Për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në Territorin e Republikës së Kosovës”, neni 24, paragrafi 5. Por në Përshkrim të kundërvajtjes është cekur se, qytetari nuk ka respektuar ligjin e Serbisë për COVID-19”, ka sqaruar IPK. /Insajderi.com