Nisin hetimet për vdekjen e ish-zyrtarit policor, Fadil Syleviq

Nisin hetimet për vdekjen e ish-zyrtarit policor, Fadil Syleviq

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqit, i cili u gjet i vdekur të premten në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Ulaj ka njoftuar se prokuroria dhe policia janë duke vazhduar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, për sqarimin e rrethanave të rastit

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ka filluar hetimet lidhur me këtë rast. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është kualifikuar si “vdekje e dyshimtë” dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Insititutin e Mjekësisë Ligjore, Prishtinë.

Po ashtu, ju njoftojmë se prokuroria në bashkëpunim me policinë, janë duke vazhduar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, për sqarimin e rrethanave të rastit në fjalë​”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Ndryshe, Syleviqi ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe dyshohet se ka “qenë i përfshirë në rrëfime për vrasje te pasluftës”.

Emri i tij është përmendur edhe nga i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti, i cili më parë kishte rrëfyer për vrasjet e pasluftës në Kosovë.

Mehmeti akuzoi Syleviqin se ka urdhëruar disa vrasje gjatë kohës kur grupi i tyre kriminal ishte duke funksionuar.

“Polici Fadil Syleviqi është i përshirë në shumë vrasje”, kishte thënë shkurt Mehmeti, duke mos treguar specifikisht në cilat vrasje./Insajderi.com