Partia NISMA që është në koalicion opozitar me AAK-në e drejtuar nga Ramush Haradinaj, i cili sot është ndaluar nga autoritetet franceze, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mos marrjen e asnjë procesi në pastrimin e listave të INTERPOL-it nga emrat e ish-luftëtarëve të UCK-së ndaj të cilave ka lëshuar arrest shteti i Serbisë.
Madje, NISMA i ka quajtur autoritetet e shtetit të Kosovës, institucione që “përqafohen e bisedojnë me pasuesit e Millosheviqit”.
“Sot z. Haradinaj sërish po ballafaqohet me maltretime procedurale, e neve nuk na mbetet tjetër veç se të kërkojmë nga autoritetet franceze të bëjnë atë që ka qenë dashur ta bëjnë ata që për disa vite përqafohen e bisedojnë me pasuesit e Millosheviqit”, thuhet në reagimin e NISMA-s.
Partia e drejtuar nga Fatmir Limaj i ka bërë thirrje autoriteteve franceze që t’i mundësojnë kryetarit të AAK-së, që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar, e po ashtu kanë kërkuar nga autoritet e BE-së dhe të shteteve evropiane që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të lëshuar nga Serbia.
Sipas NISMA-srasti i sërishëm i ndalimit të Haradinajt, tani nga autoritetet franceze, duke u bazuar në urdhërarreste të Serbisë, “tregon më së miri se ata që kanë biseduar dhe po bisedojnë çdo ditë me Serbinë në Bruksel, se sa të pa interesuar janë për të mbrojtur çlirimtaret dhe qytetarët e vendit nga veprimet arbitrare e kriminale të qeverisë së Serbisë”.
“Në vend që të kushtëzojnë Serbinë për t’i ndalur këto veprime dhe për të bërë tërheqjen e këtyre urdhërarresteve të Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK’së, ata as që e kanë ngritur ndonjëherë këtë çështje në bisedime me palën serbe”, thuhet në fund të reagimit të NISMA-s./Insajderi.com