Nisma: Me ligjin për zgjedhje, VV po tenton ta kapë shtetin

Nisma: Me ligjin për zgjedhje, VV po tenton ta kapë shtetin

Nisma Socialdemokrate ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po shfaqë hapur tendencën për ta kapur shtetin duke iniciuar procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet, njofton Insajderi.

Në një reagim të bërë në Facebook, nga kjo parti kanë vlerësuar se amandementimi i Ligjit për Zgjedhje pa konsesus mes të gjitha partive politike pozitë dhe opozitë dëshmon që VV-ja nuk e ka prioritet as pandeminë, as demokracinë dhe as zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ky veprim përbën një presedan të rrezikshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional në Republikën e Kosovës! Përmes këtij veprimi Vetëvendosje shpërfaqë̈ hapur tendencën për të kapur në tërësi shtetin! Përmes këtyre ndryshimeve Vetëvendosje për të fituar pak më shumë vota nga mërgata jonë, do të hapë rrugën që Lista Serbe të merr më shumë se 10 mandate të rezervuara. Sepse, përmes këtyre ndryshimeve do të hapet rruga që Lista Serbe me ndihmën e Vuçiqit të mobilizojë numër shumë më të madh të votuesve që jetojnë në territorin e Republikës së Serbisë!”, thuhet në reagimin e Nismës Socialdemokrate.

Nisma Socialdemokrate ka shprehur mospajtim të plotë për këtë veprim, siç janë shprehur ata, me pasoja të mëdha për demokracinë dhe stabilitetin institucional të vendit. /Insajderi.com