Gjatë të hënës, partia Nisma Socialdemokrate, dega në Prizren, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj kry" />

Nisma padit Mytaher Haskukën

Nisma padit Mytaher Haskukën

Gjatë të hënës, partia Nisma Socialdemokrate, dega në Prizren, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtorit të shëndetësisë në këtë komunë, Visar Shehu dhe shefit të zyrës së prokurimit, Isa Osmankaj.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi zyrtar nga faqja zyrtare e partisë në fjalë, ku thuhet se kallëzimi penal është dorëzuar përmes Postës së Kosovës.

“Në cilësinë e personave përgjegjës të autoritetit kontraktues – Komuna e Prizrenit, më 6 prill 2020, kanë nënshkruar një kontratë për ” Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Coronavirusi në Komunën e Prizrenit” . Kjo kontratë është nënshkruar me kompaninë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Prizreni përmes negociatave të drejtpërdrejta dhe pa publikim të njoftimit për kontratë”, thuhet në njoftim.

“Të lartcekurit, në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit duke i tejkaluar autorizimet ligjore dhe duke mos respektuar ligjin për prokurim publik, kanë nënshkruar një kontratë me çmimet për njësi që nuk janë në përputhje me çmimet e tregut, që përbën shkak të dyshimit të arsyeshëm për keqpërdorim të parasë publike. Me këtë veprim, dyshohet se të lartcekurit në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, të sanksionuar në nenet 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e partisë në fjalë.

E njëjta e ka vlerësuar si të nevojshme që Prokuroria t’i iniciojë hetimet, në mënyrë që të sigurojë edhe provat e tjera në proces, që mund të jenë të nevojshme për ngritjen e aktakuzës.

Arsyetimi i plotë i kallëzimit penal:

Më datë 19.04.2020, në portalin Insajder me titull “Haskuka nuk ndalet me kontrata te dyshimta: paguan 14 euro për një litër dezinfektues” dhe portali lajme365.com, është publikuar artikulli me titullin “SKANDALOZE: “Çmimet në qiell” në kohë pandemie, Komuna e Prizrenit paguan 14 euro për litër për dezinfektues, dhe 31 euro për maska”.

Pas marrjes së informacionit në artikullin e sipër përmendur dhe provat e paraqitura nga ky artikull, Nisma Socialdemokrate Dega në Prizren ka përgatitur këtë kallëzim penal.

Dyshimi i arsyeshëm se Kryetari i Komunës z.Mytaher Haskuka, Drejtori i Shëndetësisë z.Visar Shehu dhe Isa Osmankaj – Shef i Zyrës së Prokurimit në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, te sanksionuar në nenin 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Kjo rezulton nga fakti se Komuna e Prizrenit ka nënshkruar një kontratë për ”Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Coronavirusi në Komunën e Prizrenit”. Kontrata është nënshkruar me kompaninë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Prizreni përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë dhe pa publikim të njoftimit për kontratë.

Për më shumë Operatori Ekonomik i kontraktuar nga Komuna e Prizrenit në aktivitetin e saj ekonomik të regjistruar pranë Agjencionit për Regjistrimin e Biznesit Kosovë, aktivitet primarë ka tregtinë me shumicë jo e specializuar, kanalizimi, zhvillimi i projekteve të ndërtimit, ndërtimi i projekteve banesore dhe jo banesorë, ndërtimi i projekteve të ujit, punime montimi nga druri dhe materiale të tjera, aktivitetet e fotografimit, aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit si dhe aktivitet mbështetëse për shfaqje artistike. Ky Operator Ekonomik në aktivitet e saj ekonomike nuk ka të listuar aktivitet ekonomike të produkteve medicionale apo diçka të ngjashme, gjë që vë dyshimin e arsyeshëm të keqpërdorimit të pozitës zyrtarë nga të lartëcekurit gjatë negocimit të drejtpërdrejtë më këtë operator ekonomik.

Kompania fituese e kontratës, ka vlerë kapitale 1,000 euro, e cila ende nuk i ka mbushur një vit nga themelimi i saj dhe e cila ka vetëm një punëtor të regjistruar.

Aktivitetet tjera të deklaruara në ARBK nga kompania “Eka Tradeing“ Sh.P.K. janë edhe tregtia me shumicë jo e specializuar, kanalizimi, zhvillimi i projekteve të ndërtimit, ndërtimi i projekteve banesore dhe jobanesore, ndërtimi i projekteve të ujit, punime montimi nga druri dhe materiale të tjera, aktivitetet e fotografimit, aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit si dhe aktivitet mbështetëse për shfaqje artistike.

Komuna e Prizrenit ka paguar 8,9 Euro për një maskë të tipit FFP2, me ç’rast për 600 copë Komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes, ka paguar hiç më pak se 5,340 Euro.

E njëjta maskë në treg ka një çmim prej 3 deri 4 euro dhe të njëjtën Komuna e Dragashit e ka blerë për vetëm 3.8 euro. Komuna që udhëhiqet nga Shaban Shabani i ka blerë 4,500 maska të tilla për 17 mijë e 100 euro përmes tenderi për furnizim me materiale mbrojtëse nga COVID-19.

Përveç maskave FFP2, Komuna e Prizrenit ka paguar çmime enorme edhe për dezinfektues.

Për një litër dezificient për dezinfektimin higjienik dhe kirurgjik të duarve, Komuna e Prizrenit ka paguar çmimin prej 14 eurosh, duke paguar 2,800 euro 200 litra dezinfektues higjienik dhe kirurgjik të duarve.

Në treg i njëjti dezinfektues ka një çmim prej afër 5 eurosh. Komuna e Dragashit një produkt të tillë e ka siguruar me 5.5 euro.

Dezinfektuesi për pajisje medikale nga Komuna e Prizrenit është paguar 15 euro për litër, kurse në treg ky produkt ka një çmim prej afër 3 euro për litër.

Pra, Komuna e Prizrenit ka blerë material për mbrojtje nga koronavirusi, në vlerë prej hiç më pak se 102,040 euro, nga një kompani që organizon konferenca dhe panaire.

Si provë materiale, lidhur me këtë rast janë artikullin i protalit lajmet365.com (linku: https://lajme365.com/skandaloze-cmimet-ne-qiell-ne-kohe-pa…/ ) dhe provat brenda këtij artikulli, si kontrata e lidhur mes Komunës së Prizrenit dhe Operatorit Ekonomik “Eka Tradeing“ Sh.P.K”, si dhe artikulli i Insajderit https://insajderi.com/haskuka-nuk-ndalet-me-kontrata-te-d…/….

Nga sa u tha më lartë, të lartëcekurit në cilësinë e personave zyrtarë nga komuna e Prizrenit, dyshohet se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, te sanksionuar ne nenin 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Andaj në këtë çështje penale, është e nevojshme që prokuroria të marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve, në mënyrë që të siguroj edhe provat tjera në proces, që mund të jenë të nevojshme për ngritjen e aktakuzës.

Ndryshe shefi i zyrës së prokurimit, Isa Osmankaj është duke u gjykuar edhe për një rast tjetër, për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, rast ky i cili monitorohet vazhdimisht nga “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Isa Osmankaj akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se në periudhën kohore maj 2017, e deri në maj 2018, në cilësinë e shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vepron në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik, lidhur me tenderin “Shenjëzimi horizontal, vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit”, e lidhur me ankesën e operatorit ekonomik NPTSH “Limit L&B”, me seli në Prizren, si tenderues i suksesshëm, refuzon ankesën duke pretenduar se “Deklarata nën betim” e parashtruesit “Boja SHPK” me seli në Sambor dhe marrëveshja me të njëjtin partner është e falsifikuar, kërkon nga PSHP që të bëjë diskualifikimin e këtij operatori, për shkak të dokumenteve të falsifikuara të ndërmerren masa për falsifikim sipas nenit 92 të LPP-së, me ç’rast PSHP, me vendim me nr.259 të 4 majit 2017, refuzon ankesën me arsyetim se nuk kanë gjetur prova për falsifikim.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari më 19 qershor 2017, bënë njoftimin për dhënien e kontratës për operatorin ekonomik “Sinjalizimi” edhe pse ishte shpallur i papërgjegjshëm nga PSHP-ja, me këtë vendim nuk njofton operatorët e tjerë me qëllim që t’i shmang ankesat e operatorëve jo fitues, nuk njofton për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ofertës dhe dorëzimin e garancisë së re, pa skaduar afati i ankesave.

Në aktakuzë thuhet se ai e nënshkruan kontratën me operatorin “Sinjalizimi”, më 3 korrik 2017, duke vepruar në kundërshtim me paragrafin 4.1 dhe 4.3 të nenit 20 të ligjit 4/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-237, 05/L-068 dhe 05/L-042 për të cilat shkelje gjobitet nga OSHP-ja, edhe për kundër faktit se ky operator është shpallur i papërgjegjshëm më 10 gusht 2017, përsëri e shpall fitues operatorin “Sinjalizimi”, me ankesën e të dëmtuarit me 21 shtator 2017, ky njoftim është anuluar dhe përsëri pas rivlerësimit për kontratë, i pandehuri rekomandon operatorin e njëjtë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se pas ankesës së operatorit ekonomik “LIMITI&BOJA&DRINI”, OSHP-ja më 19 tetor 2017, kërkon që të anulohet i gjithë aktiviteti i prokurimit, me ç’rast më 5 dhjetor 2017, i pandehuri e anulon njoftimin për dhënien e kontratës dhe njofton OPSH-në, ndërsa duke mos respektuar dispozitat ligjore të LPP-së lejon që Komuna e Prizrenit, në maj të vitit 2018, të fillojë zbatimi i kontratës së anuluar nga OSHP-ja.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka shkelur të drejtat e operatorit ekonomik “LIMIT L&B” dhe i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe i ka mundësuar kompanisë “Sinjalizimi&Zmas” zbatimin e një kontrate joekzistente, në vlerë 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163.257.72 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të KPRK-së./Insajderi.com