Nisma për ekipin negociator, drejt dështimit

Nisma për ekipin negociator, drejt dështimit

Iniciativa e Partisë Socialdemokrate për formimin e ekipit negociator për dialogun me Serbinë po shkon drejt dështimit pasi përveç kundërshtimit nga dy partitë më të mëdha opozitare në vend, LDK-ja e Vetëvendosja, kjo nismë nuk po përkrahet as nga partneri i madh i koalicionit PDK-ja, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Për të disatën herë me radhë, gjatë javës së kaluar, partitë politike edhe një herë tentuan që ta harmonizonin një rezolutë për dialogun me Serbinë. Megjithëkëtë, seanca ku pritej të votohej projektrezoluta e Partisë Socialdemokrate, e Nismës dhe e Alternativës nuk ishte mbajtur ditën që ishte caktuar.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kjo projektrezolutë nuk ishte hedhur në votim  pasi me “urdhrin” e presidentit Hashim Thaçi Partia Demokratike e Kosovës nuk ia kishte dhënë mbështetjen e saj. Kjo pasi sipas tyre, presidenti Thaçi është kundër faktit që në Kuvend të kalojë një rezolutë e cila ia kufizon atij mundësinë që në tavolinën e dialogut të shtrojë tema siç është korrigjimi i kufijve.

Ndërkohë pos kësaj, projektrezolutën në fjalë po vazhdojnë ta kundërshtojnë edhe dy paritë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tyre, kjo nismë e Partisë Socialdemokrate nuk është aspak e duhura për t’i vazhduar negociatat me Serbinë.

Porse zyrtarë të PSD-së thonë se partitë politike kanë vetëm dy rrugë për t’i zgjedhur: ose ta mbështesin Thaçin në idenë e tij për korrigjim të kufijve, ose ta kundërshtojnë atë dhe idenë e tij, duke e mbështetur projektrezolutën në fjalë.