Nisma që i shkon për shtati Kadri Veselit

Nisma që i shkon për shtati Kadri Veselit

Një iniciativë e Nismës për votën e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës mund t’i shkojë për shtati PDK-së që tashmë nuk po i fsheh përgatitjet për zgjedhje të parakohshme. Historia e vitit 2010 kur qeveria e drejtuar nga PDK ishte rrëzuar me një mocion të AKR-së mund të përsëritet së shpejti.

Partia më e vogël në Kuvendin e Kosovës, Nisma, ka nisur këtë javë një iniciativë për të mbledhur nënshkrimet e deputetëve që të thirrin një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës. Përfaqësues të kësaj partie thonë se përveç votës së të gjithë deputetëve opozitarë, ata llogarisin edhe në përkrahjen e deputetëve të koalicionit qeverisës.

Me disa prej tyre, tashmë ata kanë filluar bisedimet rreth kësaj çështje, ndërsa procesi pritet të intensifikohet qysh nga e hëna e javës së ardhshme, kur pritet të mbahet një takim i grupeve parlamentare.

Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami, i ka thënë Insajderit se opozita mban shpresat tek deputetët e koalicionit qeverisës, të cilët tashmë edhe publikisht kanë shprehur dëshirën që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Ka deputetë të pakënaqur edhe në LDK e PDK. Ne presim që ata të bashkohen, që t’i kemi nënshkrimet e mjaftueshme,” ka thënë ajo.

“Me disa [deputetë] kemi biseduar, por jo me të gjithë”, ka thënë Bajrami, e cila nuk ka qenë në gjendje të japë më shumë detaje rreth kësaj çështje.

Nisma për Kosovën është themeluar në vitin 2014, kur liderët e saj kryesorë, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, kishin braktisur PDK-në për shkak të pakënaqësive sipas tyre me mënyrën se si udhëhiqej partia. Por, përkundër kësaj, liderët e kësaj partie në një numër rastesh nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PDK-në.

Deputetët e Kosovës mund të iniciojnë një votë mosbesimi ndaj qeverisë vetëm pasi që të ketë mbledhur 40 nënshkrime. Pastaj, duhen 61 vota e më shumë që qeveria të mbes pa mandat dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mundësia e përsëritjes së historisë

Koalicioni aktual qeverisës, që përbëhet nga dy partitë më të mëdha në vend, ka fuqi të madhe të votave në Kuvendin e Kosovës. Megjithëkëtë, PDK dhe LDK tash e dy vite nuk kanë arritur që të miratojnë një marrëveshje ndërkombëtare, demarkacionin me Malin e Zi, që besohet se vendit do t’i hapë rrugën për liberalizimin e vizave. Përveç kësaj, ata nuk po arrijnë të sigurojnë votat e partnerit tjetër të koalicionit, Listës Serbe, për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për formimin e ushtrisë.

Në këto rrethana, zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë qenë temë e vazhdueshme, derisa edhe një numër deputetëve tashmë kanë bërë thirrje për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, është një nga ata që vazhdimisht kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai ka porositur opozitën që të jetë e kujdesshme me këtë iniciativë, në mënyrë që të jetë e sigurt se ka grumbulluar numrin e mjaftueshëm të nënshkrimeve dhe përkrahjes.

“Iniciuesit e këtij mocioni duhet të jenë të kujdesshëm që të kenë votën e sigurt sepse proceduralisht nëse kjo dështon duhen 90 ditë pastaj për të nisur një iniciativë të re mocioni”, ka thënë ai.

“E mire do ishte që pozitë opozitë të merren vesh që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme më marrëveshje që të zhbllokohen shumë procese të domosdoshme për shtetin siç janë: zhvillimi ekonomik, demarkacioni, ushtria etj”, ka shtuar Buja në një deklaratë për Telegrafin.

Në vitin 2010, në kohën kur qeveria drejtohej nga Hashim Thaçi në një koalicion me LDK-në, vendi kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme pikërisht për shkak të një mocioni të mosbesimit.

Ata kohë vlerësohej se Aleanca Kosova e Re kishte bërë “favor” PDK-së, e cila insistonte në zgjedhje të parakohshme

AKR kishte nisur mocionin e votëbesimit ndërsa atë e kishin votuar edhe vetë deputetët e PDK-së.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme atë kohë ishin bërë pasi ish-presidenti Fatmir Sejdiu, i cili ishte njëkohësisht edhe kryetar i LDK-së, kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit për shkak që kushtetuesja kishte gjetur se ai ka bërë shkelje meqë ka mbajtur të dy këto pozita.

LDK ndodhej në një krizë të brendshme si pasojë e këtij zhvillimi.

Në rrethanat aktuale, LDK përsëri shihet në pozitë të palakmueshme, meqë deputetët e kësaj partie nuk po i binden Isa Mustafës që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

PDK në fushatë, LDK insiston se nuk ka nevojë për zgjedhje

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, tash e një kohë ka filluar një “tur dëgjimi” me qytetarët e Kosovës. Ai thotë se një gjë të tillë e bëri që të kuptojë më mirë “shqetësimet e tyre dhe prioritetet e vendit tonë”. Pas këtij turi, ai ka filluar një të ri: takime me ekspertë të fushave të ndryshme.

Sipas tij, këtë po e bën që të gjinden mënyra që vendi të ulë papunësinë.

“Ne duhet të hapim vende të reja pune. Më lër ta theksoj edhe njëherë. Duhet të krijojmë sa më shumë vende të reja pune. Kjo është një urgjencë kombëtare, një prioritet I padiskutuar që më është bërë shumë I qartë nga turi I dëgjimit. Unë po dal nëpër Kosovë e po dëgjoj nga ekspertë këtë javë në mënyrë që të krijojmë një plan të saktë për të hapur vende të reja pune”, tha Veseli.

Dhe, përderisa PDK vazhdon të jetë e angazhuar me takime të tilla, në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje. Në një numër rastesh zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë thënë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje në këto rrethana. Megjithatë, ata thonë se janë të gatshëm për një gjë të tillë./Insajderi.com